Mëmësia, jeta në çift dhe planet për familjen kanë qenë disa nga temat për të cilat Fifi ka folur gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”.
Këngëtarja u ndal te transformimi që ka përjetuar që prej ardhjes në jetë të djalit, duke pranuar se vetëm pasi u bë nënë e kuptoi realisht peshën dhe kuptimin e kësaj përgjegjësie. Ajo foli hapur edhe për vështirësitë emocionale të periudhës pas lindjes, përfshirë depresionin post-partum.
“Nuk e kam ditur kuptimin e fjalës nënë derisa u bëra vetë nënë. Tani të gjithë njerëzit i shumëzoj me zero”, u shpreh Fifi.
Ajo tregoi se rritja e të birit e ka bërë të reflektojë më shumë për sjelljen dhe mënyrën se si duhet të sillet, veçanërisht pasi djali ka nisur të flasë dhe të përsërisë shprehjet që dëgjon nga të rriturit.
“Duhet të jesh një shembull për këtë të voglin që po rritet dhe nëse unë nuk jam shembull, atëherë…”, tha këngëtarja, duke theksuar se, pavarësisht ndryshimeve që ka sjellë kjo fazë e jetës, karakteri i saj i drejtpërdrejtë dhe sinqeriteti do të mbeten të pandryshuar.
Një pjesë të intervistës ia kushtoi edhe bashkëshortit, Adis Patushit. Fifi u shpreh se ardhja në jetë e djalit ka ndikuar edhe në mënyrën se si e sheh partnerin, duke shtuar se sot e do, e vlerëson dhe e respekton edhe më shumë.
Ajo nuk e mohoi se në marrëdhënien e tyre ka edhe debate e mosmarrëveshje, por theksoi se mbështetja që merr nga Adisi është një nga gjërat që vlerëson më shumë. Sipas saj, ai është krenar për karrierën e saj dhe di ta motivojë edhe në momentet kur ajo humbet besimin te vetja.
“Unë jam e lumtur që e kam një njeri si ai në krah, sepse është krenar për punën time dhe për atë që bëj. Jam e lumtur që kam një njeri mbështetës si ai, një njeri që rrallë mund ta ketë një artist”, rrëfeu Fifi.
Në fund, këngëtarja iu përgjigj edhe aludimeve për një shtatzëni të mundshme, duke i mohuar kategorikisht ato. Ajo shpjegoi se gjithçka kishte nisur nga një video humoristike e publikuar në TikTok, të cilën e shfaqi edhe gjatë intervistës.
Sa i përket zgjerimit të familjes, Fifi bëri të qartë se për momentin nuk dëshiron një fëmijë tjetër, duke u shprehur me humor se djali i saj e ka tashmë një vëlla./mxh
