Gjashtë vende të Bashkimit Evropian po bëjnë presion për vendosjen e një takse në të gjithë bllokun mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës, të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe pasojave të saj në tregjet energjetike.
Ministrat e Financave të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Polonisë dhe Portugalisë, së bashku me ministrin spanjoll të Financave, i kanë dërguar një letër të përbashkët ministrit irlandez të Financave. Irlanda mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.
Në letër, ministrat kërkojnë që diskutimi për vendosjen e një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës të përfshihet në rendin e ditës së takimit të ardhshëm të ministrave të Financave të BE-së, që do të zhvillohet në Dublin muajin e ardhshëm.
Sipas ministrave, kompanitë e naftës po përfitojnë nga rritja e ndjeshme e marzheve të fitimit dhe e të ardhurave në një kohë kur çmimet e naftës dhe kostot e energjisë janë rritur, duke rënduar edhe më tej koston e jetesës për qytetarët.
Ata propozojnë diskutimin e një kuadri të përbashkët evropian për taksimin e fitimeve të jashtëzakonshme, duke marrë në konsideratë edhe përvojën e vitit 2022, kur BE-ja ndërmori masa të ngjashme pas pushtimit rus të Ukrainës.
Nisma thuhet se është nxitur nga ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, i cili ka argumentuar se kompanitë energjetike nuk duhet të përfitojnë në mënyrë të tepruar në kurriz të konsumatorëve gjatë krizës.
Sipas një burimi të ministrisë gjermane, “fitimet e tepërta nga kriza duhet t’u kthehen konsumatorëve”.
Të ardhurat e kompanive energjetike janë rritur ndjeshëm që prej nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në shkurt, ndërsa kufizimet e trafikut detar përmes ngushticës strategjike të Hormuzit kanë ndikuar në furnizimet globale të energjisë.
Megjithatë, Bashkimi Evropian deri tani nuk ka sinjalizuar zyrtarisht se do të vendosë një taksë të tillë. Edhe brenda Gjermanisë ka ndarje për këtë çështje, Klingbeil e mbështet masën, ndërsa krahu konservator CDU i kancelarit Friedrich Merz është kundër saj./ad
