Producenti Turjan Hysko, në një intervistë ekskluzive për revistën “Bordo”, ka zbuluar mesazhin kryesor që dëshiron të përcjellë përmes filmit të tij të ri “Kazerma”. Ai shpjegoi se, ndonëse filmi përdor formatin e një reality show-je për të tërhequr audiencën, fokusi i vërtetë është reflektimi mbi dhunën e përditshme në shoqërinë shqiptare.
Hysko u shpreh se dhuna është prezente kudo – në politikë, në media, në rrugë e madje edhe në shkolla. Sipas tij, edhe pse nuk mund të ndryshojë politikën, ai ka përgjegjësi të flasë për rolin e medias dhe figurave publike, të cilët shpesh promovojnë modele të gabuar, vanitet dhe etje për përfitime të shpejta.
“Fjala vret,” tha Hysko, duke nënvizuar se gjuha e ashpër dhe ofendimet në një shoqëri të brishtë si e jona mund të kenë pasoja të rënda. Ai dëshiron që filmi të bëhet shkak për reflektim, qoftë edhe tek një person i vetëm, duke e shtyrë të tërhiqet nga konfliktet dhe të mendojë para se të reagojë.
“Ne shqiptarët nuk dimë të tërhiqemi, si gjithë ballkanasit. Nëse dikush ndryshon qasje edhe për një situatë të vogël falë këtij filmi, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm,” u shpreh ai.
Në mbyllje, Turjan Hysko theksoi se në një shoqëri të mbushur me dhunë, askush nuk është imun ndaj pasojave të saj. “Ky është mesazhi që dua të marrin shikuesit nga ‘Kazerma’: kujdes me fjalën dhe me sjelljen, sepse dhuna mund të kthehet tek secili prej nesh.”
