Last Updated on 12/11/2025 by EL
Ish-deputetja e PD Flutura Açka, i ka dërguar një mesazh deputetëve të PD, duke u shprehur se ata duhet që të bëjnë betejë edhe brenda PD, dhe jo të presin largimin e Sali Berishës.
Açka tha se PD nuk hyri në zgjedhjet e pjeshme që u mbajtën për 5 bashki dhe duhet që të mbajë përgjegjësi.
“Unë s’doja që të kisha konflikt me forcën time dhe kjo ndodhi. Mbase dhe faji ishte i imi. Por unë nuk kisha shkuar aty për të qenë politikisht korrekt me njërin apo me tjetrin në raport. Tani shoh kolegë që presin që Berisha të bjerë. Po betejat bëhen në parlament dhe bëhen në partinë tënde.
PD nuk hyri në zgjedhje dhe kur flitet për zgjedhje ti ke përgjegjësinë tende. Unë e kam mbështetur Berishën për 30 vite por mënyra si erdhën gjërat unë nuk mund të mbyllja sytë, për një karrige parlamenti, kjo nuk është lufta ime”, tha ajo në emisionin ‘Frontline Interview’.
Açka tha se lidershipi kësaj partie nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe nuk ka bërë asnjë analizë për humbjet që ka pasur në zgjedhje.
“Lidershipi i kësaj partie nuk e ka bërë detyrën, sepse sot do të ishim në pozita të tjera. Të gjitha palët duket sikur ndihen mirë me këtë gjë po atëherë i bie që kot i kemi bërë betejat. Kanë shumë rëndësi principet në politikë. Secili duhet që të shikojë principet e veta dhe tani jemi në këtë sepse nuk mundet dot të shpëtojë nga mantra e humbjes. E djathta mund të qeverisë shumë mirë kur do por çështja është a do.
Përgjegjësi që është lidershipi në këtë parti nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Nuk kemi asnjë analizë dhe asnjë reflektim. Ne kemi shkuar në një sistem që ndoshta që në nënshtresë mund të jetë ky bashkëpunimi. Komisionet e reformës territoriale dhe zgjedhore, a i kishim para dy vitesh pse nuk dhanë rezultate. Ata kanë shkatërruar demokracinë dhe përgjegjëse janë të dyja palët”, tha ajo./e.t
