“Emily in Paris” po i vjen fundi. Netflix ka bërë të ditur se sezoni i gjashtë do të jetë edhe kapitulli i fundit i serialit shumë të ndjekur nga publiku në mbarë botën.
Platforma streaming konfirmoi zyrtarisht lajmin, ndërsa zbuloi se xhirimet e sezonit final kanë nisur tashmë në Greqi. Pas njoftimit, protagonistja Lily Collins reagoi me një mesazh emocional për fansat, duke i falënderuar për mbështetjen dhe dashurinë që i kanë dhënë serialit gjatë viteve.
“Jemi pafundësisht mirënjohës për gjithë mbështetjen tuaj. Ju duam shumë,” u shpreh aktorja.
Që prej publikimit të tij në vitin 2020, “Emily in Paris” u shndërrua në një nga produksionet më të suksesshme të Netflix, duke fituar audiencë të madhe falë historive romantike, stilit luksoz të jetesës dhe kombinimeve ikonike të modës në zemër të Parisit.
Seriali arriti të krijojë një fenomen të vërtetë pop kulture, ndërsa personazhi i Emily Cooper u kthye në një nga figurat më të njohura të platformës. Sezoni i fundit pritet të sjellë përmbylljen e historisë që ka mbajtur të apasionuar fansat për vite me radhë./mxh
