Mbreti Charles III nuk do ta përdorë më Pallatin Buckingham si rezidencën e tij kryesore, edhe pasi të përfundojë restaurimi 10-vjeçar i godinës vitin e ardhshëm. Vendimi i monarkut i jep fund një tradite gati dy shekullore, gjatë së cilës pallati ka shërbyer si rezidenca zyrtare e sovranëve britanikë.
Sipas zyrtarëve mbretërorë, Charles do të vazhdojë të jetojë në Clarence House, rezidenca e tij prej shumë vitesh në Londër, ndërsa Pallati Buckingham do të mbetet qendra kryesore për aktivitetet zyrtare dhe ceremoniale të familjes mbretërore, përfshirë pritjen e vizitave shtetërore.
Vendimi ka ngjallur reagime, pasi restaurimi i pallatit ka kushtuar 369 milionë paund. Megjithatë, autoritetet mbretërore theksojnë se godina do të vazhdojë të përdoret intensivisht për funksione zyrtare dhe do të jetë më e aksesueshme për publikun, pasi mungesa e qëndrimit të përhershëm të mbretit do të lejojë hapjen e më shumë ambienteve për vizitorët.
Pallati Buckingham ka shërbyer si rezidenca kryesore e monarkëve britanikë që nga koha e Mbretëreshës Victoria, në vitin 1837. Megjithatë, as Mbreti Charles dhe as Mbretëresha Elizabeth II nuk kanë kaluar net në pallat që prej vitit 2019.
Në të njëjtën kohë, familja mbretërore publikoi për herë të parë shumën e taksave të paguara nga mbreti. Sipas të dhënave zyrtare, Charles pagoi 12.9 milionë paund taksa gjatë vitit financiar 2024-2025, në kuadër të përpjekjeve të monarkisë për më shumë transparencë financiare./mxh
