Funerali i Ali Khameneit, njeriut që për gati katër dekada mbajti nën kontroll Republikën Islamike, do të zhvillohet me katër muaj vonesë.
Televizioni shtetëror njoftoi se ceremonia mortore do të mbahet nga 4 deri më 9 korrik: homazhet do të zhvillohen në Mosalla të Teheranit, do të pasohet nga një kortezh në kryeqytet, një ndalesë në qytetin e shenjtë të Qomit dhe më pas varrimi përfundimtar në mauzoleumin e imamit të tetë, në Mashhad.
Një skenar i denjë për një Udhëheqës Suprem, i konceptuar për të mbushur rrugët me besimtarë dhe flamuj të zinj, me një detaj që nuk duket rastësor: nisja e ceremonive, më 4 korrik, do të përkojë me Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, të cilat këtë vit festojnë 250-vjetorin e tyre.
Khamenei u vra më 28 shkurt, në orët e para të sulmit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit që goditi zemrën e pushtetit iranian. Sulmi shkatërroi kompleksin e tij rezidencial në qendër të Teheranit, plagosi djalin dhe pasardhësin e tij të mundshëm, Mojtaba, i cili ende nuk është shfaqur publikisht, dhe vrau bashkëshorten, nusen dhe mbesën e tij. Që prej asaj kohe, trupi i Udhëheqësit Suprem ka mbetur larg vëmendjes publike.
Në një vend ku ligji islam kërkon që të vdekurit të varrosen shpejt, pritja është shndërruar në një çështje më vete. Në ditët e para të luftës, shtyrja dukej pothuajse e pashmangshme, por ndërsa figura të tjera të rëndësishme të vrara në të njëjtat sulme – si Ali Larijani, kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë – përcilleshin për në varreza pa ceremoni madhështore, heshtja rreth trupit të Khameneit u kthye në një pyetje politike. Në televizionin shtetëror, komentatorët vazhdonin të flisnin për “përgatitje të ndërlikuara”.
Në rrjetet sociale, ku ironia është shpesh e vetmja hapësirë lirie, mes kundërshtarëve të regjimit qarkullonte e njëjta shaka: “Pra, kur do të bëhet ky funeral?”. Nuk pati asnjë përgjigje zyrtare, por shumë njerëz ndanin të njëjtën hipotezë: vonesa lidhet me frikën. Një funeral shtetëror i këtyre përmasave mund të shndërrohet në një objektiv për këdo që dëshiron të godasë regjimin, qoftë nga brenda apo nga jashtë.
Ajatollahët kanë arsye të forta për të qenë të shqetësuar. Mediat iraniane kujtojnë se gjatë funeralit të Qassem Soleimanit, në vitin 2020, turma e madhe në Kerman shkaktoi dhjetëra viktima nga shtypja dhe nxori në pah paaftësinë e sistemit për të kontrolluar situatën. Në rrugë pritet të dalin “disa milionë njerëz”, me autobusë të organizuar nga Iraku, Afganistani, Pakistani, India dhe Kashmiri. Euronews shkruan se disa zyrtarë irakianë kanë kërkuar madje që trupi të dërgohet edhe në Najaf dhe Karbala.
Për regjimin, pamjet e procesioneve do të shërbejnë për të treguar një vend të bashkuar rreth “Udhëheqësit të Udhëheqësve”. Por jashtë kuadrit zyrtar, realiteti paraqitet ndryshe.
“Për ne”, shkruan nga Teherani Ghazaleh, “vrasja e Khameneit përfaqëson fundin e xhelatit tonë, të atij që ka vrarë, torturuar dhe poshtëruar miliona burra dhe gra”. Sipas saj, funerali është vetëm “një tjetër farsë që jemi të detyruar ta shohim”, një ritual që nuk përfaqëson shumicën e iranianëve, të cilët gjatë këtyre viteve kanë mbushur rrugët duke brohoritur pikërisht: “Vdekje diktatorit”./ Corriere della Sera/kb
