Ish-ushtaraku 46-vjeçar, Altin Celami është arrestuar sërish nga policia për të njëjtën veprimtari kriminale: furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri.
Në njoftimin e policisë thuhet se Altin Celami përdorte taksinë e tij për të transportuar armët dhe municionin luftarak, që t’i shmangej ndalimit të policisë.
Gjatë kontrollit fizik, të taksisë dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak – të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale – lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Altin Celami u arrestua edhe më 4 tetor të vitit 2022 së bashku me 14 persona të tjerë, të cilët operonin si një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë.
Njoftimi i policisë:
Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, finalizoi operacionin policor të koduar “Gun Expert”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, teksa drejtonte automjetin tip taksi.
Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve”./ K.M
