Këshilltari diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, deklaroi se Lindja e Mesme nuk ka nevojë për një tjetër përballje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke theksuar se Teherani duhet të arrijë një marrëveshje bërthamore me Uashingtonin.
Duke folur në një panel të Samitit Botëror të Qeverive në Dubai, Gargash tha se rajoni ka kaluar tashmë “përballje shkatërrimtare” dhe se një konflikt i ri do të ishte i panevojshëm. Ai u shpreh se do të dëshironte të shihte negociata të drejtpërdrejta mes Iranit dhe SHBA-së për të shmangur tensionet e vazhdueshme.
Ndërkohë, zyrtarë iranianë dhe amerikanë konfirmuan se bisedimet bërthamore mes dy vendeve do të rifillojnë të premten në Turqi. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa anije të mëdha luftarake amerikane janë pozicionuar pranë Iranit.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pritet të takohen në Stamboll në përpjekje për të ringjallur diplomacinë mbi programin bërthamor të Iranit dhe për të shmangur rrezikun e një lufte të re rajonale. Sipas një diplomati rajonal, në proces do të përfshihen edhe përfaqësues nga vende si Arabia Saudite dhe Egjipti.
Tensionet janë përshkallëzuar në javët e fundit për shkak të grumbullimit ushtarak amerikan pranë Iranit, si dhe pas shtypjes së dhunshme të protestave kundër qeverisë në Iran muajin e kaluar, të cilat u cilësuan si trazirat më vdekjeprurëse që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./mxh
