Një tranzicion i gjelbër që kërkon bazë të qëndrueshme
Tranzicioni energjetik po shndërrohet gjithnjë e më shumë në boshtin kryesor të politikave
ekonomike e mjedisore të vendeve të Evropës Juglindore. Për Shqipërinë, e cila prodhon mbi
95% të energjisë elektrike nga burime hidrike, kjo nënkupton jo vetëm vazhdimin e investimeve
në energji të pastër, por edhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm e të diversifikuar.
Në këtë kontekst, gazifikimi i vendit përfaqëson hallkën që garanton sigurinë e furnizimit dhe
stabilitetin afatgjatë të sektorit energjetik. Gazi natyror, si “fuel of transition”, nuk është
alternativë ndaj energjive të rinovueshme, por plotësues i tyre. Ai krijon kushtet teknike dhe
tregtare që energjia diellore, ajo e erës dhe hidroenergjetika të funksionojnë në harmoni, pa
rrezikuar sigurinë e sistemit.
Nga varësia hidrike drejt një sistemi të balancuar
Modeli aktual energjetik i Shqipërisë mbështetet thuajse tërësisht mbi prodhimin hidro, çka e ka
bërë vendin një ndër më të pastërtit në Europë për sa i përket emetimeve. Por në të njëjtën kohë,
kjo varësi e lartë nga kushtet atmosferike e ka bërë sektorin të ekspozuar ndaj thatësirave dhe
luhatjeve sezonale, duke krijuar shpesh nevojë për importe energjie me kosto të lartë.
Në këtë kuadër, gazi natyror shfaqet si elementi që mund të ofrojë fleksibilitetin e munguar.
Përmes kapaciteteve termike me bazë gazi, sistemi mund të kompensojë mungesat e përkohshme
të energjisë së rinovueshme, të ulë presionin mbi importet dhe të ruajë stabilitetin ekonomik të
tregut. Një qasje e tillë siguron jo vetëm energji të qëndrueshme, por edhe një çmim më të
parashikueshëm për konsumatorët dhe industrinë.
Projekte që po ndryshojnë hartën energjetike të vendit
Hapat konkretë drejt gazifikimit janë tashmë në zhvillim. Trans Adriatic Pipeline (TAP) e ka
bërë Shqipërinë pjesë të Korridorit Jugor të Gazit, një nga projektet më strategjike për sigurinë
energjetike europiane. TAP-i krijon një bazë reale për shtrirjen e mëtejshme të rrjetit përmes
Ionian–Adriatic Pipeline (IAP), që do të lidhë vendin me Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe
Kroacinë, duke mundësuar qarkullim rajonal dhe treg të integruar.
Një tjetër projekt me rëndësi strategjike është ALKO-GAP, tubacioni që do të lidhë Shqipërinë
me Kosovën, duke forcuar sigurinë e furnizimit dhe duke rritur bashkëpunimin energjetik
ndërkufitar. Paralelisht, projekti i gazifikimit të qytetit të Korçës, i realizuar në bashkëpunim me
SOCAR dhe Albgaz, do të jetë shembulli i parë i aplikimit të gazit në nivel urban në Shqipëri,
duke krijuar një model që mund të përsëritet në qytetet e tjera.
Në bregdet, projekti Fier–Vlorë, së bashku me TEC-in e Vlorës dhe terminalin LNG në Vlorë, po
e pozicionon Shqipërinë si një nyje të re energjetike të Adriatikut, ku gazi shihet jo vetëm si
burim furnizimi, por edhe si infrastrukturë zhvillimi ekonomik dhe industrial.
Gazifikimi si mjet sigurie dhe diplomacie energjetike
Gazifikimi nuk është vetëm një projekt teknik, por një strategji gjeoekonomike që rrit peshën e
Shqipërisë në hartën energjetike të rajonit. Përmes përfshirjes në Korridorin Jugor dhe lidhjeve
me rrjetet europiane, vendi merr një rol aktiv në arkitekturën e re të sigurisë energjetike të
kontinentit.
Kjo dimension i jep Shqipërisë mundësinë të kthehet në një urë mes Kaspikut dhe Europës, duke
kontribuar në diversifikimin e furnizimeve dhe në uljen e varësisë nga burime të kufizuara.
Bashkëpunimi me Azerbajxhanin dhe partnerët e tjerë të rajonit krijon një bazë solide për
zhvillime të reja në infrastrukturë, tregti dhe investime energjetike.
Dimensioni rregullator dhe tregtar
Rruga drejt gazifikimit kërkon një kuadër të qartë rregullator dhe një treg funksional, që garanton
konkurrencë të ndershme, transparencë dhe tërheqje investitorësh. Shqipëria ka ndërmarrë hapa
të rëndësishëm në këtë drejtim me krijimin e Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike
(ALPEX), liberalizimin gradual të tregut dhe ndarjen funksionale të sektorit të shpërndarjes.
Në fushën e gazit, sfida mbetet zhvillimi i një rrjeti të brendshëm shpërndarës, që mundëson
akses për konsumatorët fundorë dhe krijon bazën për rritjen e konsumit industrial. Kjo kërkon
politika të qëndrueshme, plane investimi afatgjata dhe mbështetje nga instrumente
ndërkombëtare financiare si BB, BERZH, BE, AFD, etj.
Një tranzicion i zgjuar dhe i sigurt
Nëse energjia e rinovueshme përfaqëson të ardhmen, atëherë gazi përfaqëson urën drejt asaj të
ardhmeje. Duke kombinuar fleksibilitetin teknik të gazit me potencialin e madh të energjive të
pastra, Shqipëria mund të arrijë një model të balancuar energjetik, që i garanton pavarësi, siguri
dhe zhvillim ekonomik.
Në fund të ditës, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm çështje teknologjie, por një projekt
kombëtar për qëndrueshmëri. Gazifikimi i Shqipërisë, i mbështetur nga bashkëpunimi rajonaldhe integrimi me infrastrukturën europiane, është pikërisht ajo hallkë që mund ta bëjë këtë
tranzicion të qëndrueshëm, të sigurt dhe përfshirës për të gjithë.
Shkruar nga Dr. Lorenc Gordani
Ekspert rregullator në sektorin e energjisë / Pedagog në Tirana Business University (TBU)
