Kinemaja si fushëbetejë
Nga Leonard Veizi
Kinematografia, ajo magji e dritës dhe e hijes, ka lindur shpeshherë jo si argëtim, por si shpatë dhe pishtar, si zë që guxon të thyejë murin e heshtjes. Ka regjisorë, veprat e të cilëve janë më shumë se filma; janë dokumente historike, thirrje për ndërgjegje, himne të dhimbshme për lirinë. I tillë ishte Gillo Pontekorvo, mjeshtri italian që e shkriu artin me angazhimin politik, duke e kthyer kameran në një dëshmitare të patrembur të historisë…
…Për publikun shqiptar, emri i tij lidhet ngushtë me kujtimet e një kohe të shkuar. Filma si “Betéja e Algjerit” apo siç njihet në orgjinal: “La Battaglia di Algeri” dhe “Kuemáida” apo “Queimada”, janë transmetuar në ekranin e televizionit shqiptar që para viteve ’90 të shekullit të kaluar, në kohën kur Shqipëria u nda me regjimin diktatorial. Këto vepra, – thesar i realizmit politik, – kanë qenë një dritare e rrallë drejt dramave botërore, duke gdhendur në ndërgjegjen e shikuesve mesazhin universal të luftës për çlirim.
Nga kimisti te kinemaja
Gillo Pontekorvo ishte regjisor, skenarist dhe kompozitor italian. Lindi në një familje borgjeze hebreje në Pizë më 19 nëntor 1919. Ndonëse fillimisht studioi kimi në universitet, jeta e tij mori një kthesë të papritur.
Pushtimi fashist i Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore e shtyu atë të braktiste laboratorin për t’iu bashkuar radhëve të rezistencës antifashiste dhe Partisë Komuniste, duke u përfshirë aktivisht në luftën për çlirimin e vendit. Ky angazhim i hershëm politik do të bëhej busulla e gjithë karrierës së tij të mëvonshme.
Pas luftës, Pontekorvo iu përkushtua plotësisht botës së kinematografisë dhe gazetarisë. Ai nisi si asistent regjisor dhe dokumentarist, duke formësuar një qasje unike, ku autenticiteti dhe thellësia njerëzore qëndronin në qendër të çdo vepre.
Veprat ikonike
Gjatë një karriere që zgjati mbi pesë dekada, Pontekorvo realizoi 22 filma, disa prej të cilëve shënuan historinë e kinemasë botërore. Ai u bë i njohur për një qashtë realiste, politike dhe njerëzore, duke përdorur shpesh aktorë jo-profesionistë dhe një stil dokumentaristik për të pasqyruar tematikat e luftës për liri, revolucionit dhe konflikteve koloniale.
“Kapo”, prodhim i vitit 1960:, është një dramë e fuqishme mbi mbijetesën në kampet naziste, e cila siguroi një nominim për “Oscar” në kategorinë Filmi më i mirë i huaj.
“Betéja e Algjerit” prodhim i vitit 1966, mbetet vepra e tij më e famshme dhe padyshim një nga filmat politikë më të rëndësishëm të shekullit XX. Filmi trajton luftën e pavarësisë së Algjerisë kundër Francës me një realizëm tronditës. Ky film, për shkak të temës së ndjeshme, u ndalua për një periudhë të gjatë në Francë. Filmi fitoi Luanin e Artë (Golden Lion) në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 1966 dhe mori tre nominime për “Oscar” – për regji, skenar dhe film të huaj.
“Kuemáida” prodhim i vitit 1969, me protagonist Marlon Brando, është një film që trajton çështjet e kolonializmit dhe revolucionit në Karaibe dhe shihet si një alegori politike e rebelimeve antikoloniale.
“Operacion Ogro” prodhim i vitit 1979, u bazua në ngjarje të vërteta. Filmi flet për atentatin ndaj kryeministrit spanjoll Luis Karero Blanko gjatë regjimit të Frankos.
Kinemaja si etikë
Pontekorvo ishte një regjisor me ndërgjegje të fortë politike. Stili i tij karakterizohej nga xhirime realiste, përdorimi i kamerës me dorë për efekt dokumentar, mungesa e heroizmit klasik dhe përpjekja për të trajtuar objektivisht të dyja palët në konflikt. Për të, kinemaja ishte mjet për të treguar vuajtjet dhe luftën e njeriut për liri.
Përveç regjisë, ai kontribuoi edhe si skenarist dhe kompozitor, duke bashkëpunuar ngushtë me kompozitorin legjendar Ennio Morikone, me të cilin krijoi një nga kolonat zanore më ikonike të kinemasë botërore – atë të Betejës së Algjerit.
Trashëgimia
Gillo Pontekorvo ndërroi jetë më 12 tetor 2006 në Romë, në moshën 86-vjeçare. Ai konsiderohet si një nga regjisorët më të mëdhenj politikë të shekullit XX. Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë ende sot: Beteja e Algjerit mbetet një pikë referimi për mënyrën se si kinemaja trajton temat komplekse të luftës, terrorizmit dhe rezistencës. Filmat e tij nuk janë thjesht art – janë leksione të etikës, historisë dhe ndërgjegjes njerëzore.
