Vështirë se ka një problem politik më të ndërlikuar sesa menaxhimi i mbetjeve tejet radioaktive nga centralet bërthamore. Kjo dëshmohet nga fakti se kjo çështje mbetet ende kryesisht e pazgjidhur në pothuajse të gjitha vendet e botës që kanë ose kanë pasur centrale bërthamore, gjithsej 31 shtete. Dhe kjo megjithëse centrali i parë i madh bërthamor hyri në funksion në Rusi që në vitin 1954.
Finlanda është vendi i parë në botë që ka miratuar një depozitim përfundimtare për mbetjet shumë radioaktive bërthamore. Ajo ndodhet 400 metra nën tokë, në një ishull në perëndim të vendit, pranë njërit prej dy centraleve bërthamore finlandeze. Për ndërtimin dhe përfundimin e saj, finlandezëve u janë dashur rreth 40 vjet punë.
Gjermania në kërkim prej 10 vjetësh
Por në të gjitha vendet e tjera, përfshirë Gjermaninë, problemi vazhdon të mbetet. Ai mund të shpjegohet më së miri me një situatë të përditshme që shumë njerëz e njohin: mbeturinat janë nxjerrë tashmë para shtëpisë dhe presin të mblidhen, por makina e pastrimit nuk po vjen. Arsyeja? Nuk ka një vendgrumbullim ku ato mund të transportohen. Një pamje aspak e këndshme. Por, nga ana tjetër, askush nuk dëshiron të jetojë pranë një vendgrumbullimi të tillë.
Pikërisht kështu paraqitet situata edhe në Gjermani. Megjithatë, ka një zhvillim pozitiv: “Shoqëria Federale për Deponimin Përfundimtar” (Bundesgesellschaft für Endlagerung – BGE), e krijuar posaçërisht për këtë qëllim, prej gati dhjetë vitesh është në kërkim të një vendi të përshtatshëm, të ngjashëm me atë në Finlandë, thellë nën tokë.
Ekspertët janë prej kohësh pothuajse unanimë për një gjë: mbetjet bërthamore, veçanërisht elementet e përdorura të karburantit nga centralet bërthamore, të cilat do të vazhdojnë të lëshojnë rrezatim radioaktiv edhe për mijëra vjet, duhet të depozitohen nën tokë.
Vetëm pesë përqind e sipërfaqes merret në konsideratë
Gjermania shpreson të ketë gjetur deri në vitin 2050 një vend të përshtatshëm për depozitimin përfundimtar të mbetjeve bërthamore. Kjo është ende një periudhë shumë e gjatë. Prandaj, ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider (SPD), dëshiron të shqyrtojë nëse procesi i kërkimit mund të përshpejtohet ndjeshëm. Të paktën ky është plani aktual. Për këtë arsye, zëdhënësi i ministrit të Mjedisit, Stephan Gabriel Haufe, deklaroi të mërkurën në Konferencën Federale për Shtyp: “Rusia, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Japonia nuk kanë arritur ende aq përpara me procedurat e tyre sa ne. Finlanda është sigurisht vendi që po ecën më shpejt në shkallë botërore. Por edhe Gjermania bën pjesë në grupin e vendeve kryesuese.”
Këtë javë, Shoqëria Federale për Deponimin Përfundimtar (BGE) bëri të ditur se tashmë vetëm pesë për qind e sipërfaqes së Gjermanisë konsiderohet e përshtatshme për ndërtimin e një depoje përfundimtare të mbetjeve bërthamore, të shpërndara në 11 nga 16 landet federale (shih grafikun). Për këtë proces, BGE po konsultohet me gjeologë, ekspertë të energjisë bërthamore dhe fizikantë, por edhe me qytetarë dhe politikanë.
Një gjë është e qartë: mbetjet bërthamore të krijuara gjatë dekadave të funksionimit të centraleve bërthamore do të mbeten në Gjermani dhe nuk do të eksportohen jashtë vendit.
Gjermania pa centralet por me mbetje bërthamore
Aktualisht, mbetjet bërthamore ruhen pranë centraleve ku janë prodhuar. Mes tyre janë 19 ish-centralet bërthamore, të cilat ndodhen në proces çmontimi, si dhe disa impiante kërkimore. Pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë në vitin 2011, Gjermania vendosi të heqë dorë nga përdorimi komercial i energjisë bërthamore. Në vitin 2023 u mbyll edhe centrali i fundit bërthamor. Por mbetjet mbetën aty ku ishin.
Gazetarja Dagmar Dehmer, drejtuese e departamentit të komunikimit në Shoqërinë Federale për Deponimin Përfundimtar (BGE), i shpjegoi DW-së pse kërkimi për një depo përfundimtare zgjat kaq shumë: “Sepse duhet të vërtetohet siguria për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë. Në Finlandë për 100.000 vjet, ndërsa në Gjermani, Zvicër dhe Francë për një milion vjet. Pavarësisht periudhës së parashikimit, përpjekja e nevojshme është gjithmonë shumë e madhe. Duhet të analizohen zhvillimet e mundshme, ndërveprimet mes gjeologjisë dhe teknologjisë, si edhe procesi i zbërthimit të radionuklideve me kalimin e kohës, dhe të gjitha këto të vlerësohen nga pikëpamja e sigurisë.”
400 metra thellë nën tokë rrethuar nga barriera masive gurore
Ekspertët veprojnë kështu: Vendet e mundshme analizohen me kujdes për sigurinë e tyre gjeologjike. A është i qëndrueshëm formacioni shkëmbor në një thellësi prej 400 metrash? A ekziston rreziku që ujërat nëntokësore të ndoten? Qëllimi është të gjendet një vend ku depoja të rrethohet nga një shtresë shkëmbore me trashësi rreth 100 metra, e cila do të shërbejë si barrierë mbrojtëse natyrore. Si formacione të përshtatshme konsiderohen shtresat e argjilës, granitit ose kripës shkëmbore.
Hap pas hapi, kriteret bëhen gjithnjë e më të rrepta dhe numri i vendeve të mundshme ngushtohet vazhdimisht. Aspekte të tjera, si afërsia me qytetet e mëdha, merren në konsideratë vetëm në një fazë shumë më të vonshme të procesit. Sepse një gjë është e qartë: askund nuk do të ketë entuziazëm për ndërtimin e një depoje përfundimtare me mbetje radioaktive, qoftë në qytet apo në zonat rurale.
Dehmer: Në Finlandë ka besim të madh tek shteti
Dhe pikërisht për këtë arsye, një pjesë e rëndësishme e punës së Dagmar Dehmerit është të krijojë besim. Ajo duhet të shpjegojë vazhdimisht pse është e domosdoshme të merremi me trashëgiminë e epokës së energjisë bërthamore, pavarësisht se çfarë qëndrimi ka secili ndaj energjisë atomike.
Sipas Dehmerit, Finlanda ka arritur ta bëjë këtë me sukses: “Në Finlandë ekziston një nivel i lartë besimi te veprimi i institucioneve shtetërore. Autoriteti mbikëqyrës dhe licencues finlandez, STUK, është një nga institucionet më të respektuara në vend. Gjermania mund të mësojë nga Finlanda duke i qëndruar vazhdimisht procesit, pa ndryshuar drejtim në mënyrë të vazhdueshme dhe duke treguar durimin e nevojshëm ndërbrezor për të arritur një rezultat të mirë.”
Depozitimi përfundimtar i mbetjeve bërthamore është, në fund të fundit, mbi të gjitha një çështje shumë e kushtueshme. Vetëm kërkimi për një vend të përshtatshëm dhe ruajtja e mbetjeve radioaktive në vendet ku ndodheshin centralet bërthamore kushtojnë aktualisht rreth 1,4 miliardë euro në vit. Kostoja e vetë depos përfundimtare, kur ajo të ndërtohet dhe të vihet në funksion, vlerësohet nga ekspertët në rreth 14 miliardë euro. Shpresa është që rreth 28.000 metra kub mbetje radioaktive të depozitohen përgjithmonë nën tokë, larg mjedisit dhe brezave të ardhshëm./ DW-ad
