Gjermania dhe Polonia duhet të marrin përgjegjësi të përbashkët për ringritjen ekonomike të Evropës. Kështu u shprehën ministrat e Financave të dy vendeve gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Varshavë, të hënën, më 2 shkurt.
“Ne duhet ta bëjmë Evropën më konkurruese,” deklaroi ministri polak i Financave, Andrzej Domanski, krah zëvendëskancelarit gjerman dhe ministrit të Financave, Lars Klingbeil.
Nga ana e tij, Klingbeil theksoi se marrëdhëniet transatlantike po kalojnë një fazë ndryshimi të thellë, duke nënvizuar nevojën për një Evropë më të fortë. “Pikërisht në këtë periudhë duhet të forcojmë Evropën dhe ta çojmë përpara,” tha ai, gjatë vizitës së tij të parë në Poloni që prej marrjes së detyrës.
Ministri gjerman shtoi se Bashkimi Evropian duhet të bëhet “më i shpejtë, më i zgjuar dhe më i aftë për t’u përballur me kompleksitetin.”
Deklaratat vijnë pasi ministrat nga gjashtë ekonomitë kryesore evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë, u zotuan javën e kaluar të jenë motorët e progresit evropian, duke diskutuar mënyra për të çuar përpara projekte të bllokuara nga proceset e ndërlikuara vendimmarrëse të BE-së.
“Ne i kemi vënë vetes synimin të thellojmë bashkëpunimin evropian, të rrisim ritmin dhe ta kërkojmë këtë edhe nga Komisioni Evropian,” tha Klingbeil.
Ndërsa ministri polak Domanski theksoi se Evropa ndodhet në një garë të hapur. “Një garë për konkurrueshmëri dhe për ndërtimin e një fuqie të vërtetë ekonomike. Për ta arritur këtë, duhet të përshpejtojmë,” u shpreh ai./mxh
