Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel dënoi mbrëmjen e së hënës bosin e mafias Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, me 25 vite burg për organizimin e vrasjes së Ardit Spahiut, krim i ndodhur më 27 nëntor 2020 në zonën e Molenbeekut, në Belgjikë.
Sipas trupës gjykuese, Franc Çopja e kishte urdhëruar ekzekutimin nga Dubai, ku qëndronte prej disa vitesh.
Vendimi erdhi pasi të premten gjykata i shpalli fajtorë të pandehurit si autorë ose bashkëpunëtorë në vrasjen e Spahiut, i cili ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2019 për shkak se ishte i frikësuar për jetën e tij, kjo pas përplasjeve të ashpra mes klaneve rivale të Elbasanit.
Përveç Çopjas, gjykata dha dënime të rënda edhe për bashkëpunëtorët e tij. Flobenc Mecja u dënua me burgim të përjetshëm si autor i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa Mikael Qosja mori gjithashtu burgim të përjetshëm për përfshirjen në organizimin e krimit.
Ndërkohë, Elton Roci u dënua me 20 vite burg, Elvis Murataj me 8 vite, ndërsa Eljo Bitri me 5 vite burgim. Ky i fundit përfitoi ulje dënimi pasi bashkëpunoi me prokurorinë që nga nëntori i vitit 2023 dhe u kthye në dëshmitar të mbrojtur. Sipas gjykatës, dënimi më i butë për të erdhi si rezultat i pranimit të fajit, pendesës së shprehur dhe gatishmërisë për të nisur një faqe të re, pavarësisht rreziqeve serioze që mori përsipër me dëshminë e tij.
Ekzekutimi në zemër të Brukselit
Mbrëmjen e 27 nëntorit 2020, Ardit Spahiu u qëllua për vdekje sapo doli nga një restorant në rrugën “Condorlaan”, në Molenbeek, një ndër zonat më të njohura të Brukselit. Një person i armatosur, që zbriti nga një automjet, hapi zjarr në drejtim të tij. Spahiu u qëllua nëntë herë dhe si pasojë humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Hetimet morën kthesë vendimtare në qershor të vitit 2021, pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, i përdorur gjerësisht nga grupet kriminale. Mesazhet e siguruara nga autoritetet ndihmuan në identifikimin e figurave kyçe të përfshira në atentat dhe në dokumentimin e rolit të secilit prej të pandehurve.
Franc Gergely (Çopja) u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë në dhjetor 2023. Ai kishte deklaruar se ishte vendosur në Dubai për aktivitete të ligjshme tregtare, konkretisht në fushën e tekstileve dhe makinave, por sipas gjykatës, nga atje kishte vijuar të drejtonte aktivitetin kriminal.
Përplasja mes klaneve në Elbasan
Ardit Spahiu, 38 vjeç, nga Elbasani, rezulton të ketë qenë kunati i Erion Alibej, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Alibej akuzohet si porositës i disa vrasjeve të bujshme në Elbasan, mes tyre ato të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në korrik, si dhe të Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
Vetë Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej, i cili vite më parë u ekzekutua në Bradashesh së bashku me xhaxhanë e tij Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erdal Duranay, në një atentat të armatosur që tronditi qytetin e Elbasanit.
Sipas autoriteteve belge, vrasja e Spahiut lidhet me konfliktin e përgjakshëm mes grupit të drejtuar nga Çopja dhe atij të lidhur me familjen Alibej, përplasje që dyshohet të ketë në themel kontrollin e trafikut të kokainës në shkallë të gjerë në Evropë./A.D
