Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke ndryshuar masën “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, e cilësoi vendimin si një rast të pazakontë, duke theksuar se është hera e parë që Gjykata e Lartë ndërhyn drejtpërdrejt në këtë mënyrë për një masë sigurie të vendosur nga GJKKO.
“Deri tani Gjykata e Lartë nuk kishte ndërhyrë. Sot prishi një vendim të dhënë nga gjashtë gjyqtarë.
Ka pasur një lloj dakordësie mes ndërkombëtarëve dhe Gjykatës së Lartë që të mos ndërhyhej në vendimet e GJKKO-së. Në raportin vjetor të SPAK ishte evidente që Gjykata e Lartë nuk kishte prishur asnjë vendim gjatë vitit 2025.
Kjo mund të na fusë në një qerthull të madh, sepse tani të gjithë do të kërkojnë të njëjtën gjë dhe mund të cenohet besueshmëria e sistemit gjyqësor.
Çfarë do të bëjë Gjykata e Lartë, do të boshatisë burgjet? Vetëm 2 deri në 5 për qind e personave të akuzuar për korrupsion janë në masën ‘arrest me burg’, ndërsa 95 për qind hetohen në gjendje të lirë”- tha Bregu./mxh
