Last Updated on 04/10/2026 by Anisa
Një 26-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në flagrancë në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”, pas dyshimeve për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit Xhuljan Muça, 26 vjeç, banues në Elbasan, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë. Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se i riu e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë edhe në afërsi të shkollave.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi gjithashtu një armë të ftohtë, një thikë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”./ad
