Last Updated on 18/09/2026 by Monika
Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në zonën e Piazza Duomo në Firence, ku ndodhet apartamenti ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni, 97 vjeç, së bashku me nipin e tij. Hajdutët kanë arritur të hyjnë në banesë pasi kanë thyer murin dhe kanë hapur derën e blinduar, duke marrë sende me vlerë rreth 30 mijë euro.
Sipas CorriereFiorentino ngjarja është zbuluar të martën në mbrëmje, rreth orës 23:00, kur nipi i kardinalit, Tonin Simoni u kthye në shtëpi.
Hajdutët kishin përdorur mjete të posaçme për të çarë murin dhe për të depërtuar në apartament. Dy dalta të përdorura gjatë grabitjes u gjetën të braktisura në korridor. Brenda banesës, dollapët, kutitë dhe valixhet ishin hapur dhe gjithçka ishte lënë në rrëmujë.
“Jemi të tronditur nga ajo që ndodhi. Ndiheshim të sigurt dhe nuk do ta kishim menduar kurrë se hajdutët do të arrinin të bënin një gjë të tillë pikërisht në Piazza Duomo. Është një turp për qytetin”, tha Tonin Simoni.
Mes sendeve të grabitura janë para të gatshme, sende ari, bizhuteri, disa medalje, një vulë ari dhe sende të tjera personale. Hajdutët kanë marrë gjithashtu një kabllo të vjetër PlayStation, që u përkiste fëmijëve të familjes, si dhe lejen e qëndrimit të kardinalit Ernest Simoni.
Ky i fundit nuk ndodhej në Firence në momentin e grabitjes. Kardinali shqiptar ndodhet aktualisht në Londër, ku ka pasur një takim me Mbretin Charles.
“Humbja e lejes së qëndrimit është mjaft e çuditshme. Përveç nëse dikush ka pasur qëllim ta falsifikojë atë”, u shpreh nipi i kardinalit.
Karabinierët mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekspertët kriminalistikë po kryejnë hetime për mbledhjen e gjurmëve dhe provave që mund të çojnë te autorët. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë në Piazza Duomo.
Sipas Tonin Simonit, fakti që grabitësit arritën të vepronin në një nga zonat më të ruajtura të Firences ngre dyshime se banesa mund të ketë qenë nën vëzhgim.
“Duhet të kenë ditur që nuk ishim në shtëpi. Nuk mendoj se ishte një rastësi”, tha ai.
Pas ngjarjes, familja kaloi natën duke rregulluar dëmet dhe duke qëndruar në banesë, pasi dera e sigurisë nuk mund të mbyllej.
Kur nipi e telefonoi kardinalin në Londër për t’i treguar për grabitjen, shqetësimi i parë i Ernest Simonit nuk ishin sendet e vjedhura, por statujat fetare që mbahen në dhomën e tij, e cila i ngjan një faltoreje.
“A i lanë statujën e Zonjës së Medjugorjes? Po statujën e Padre Pios?”, pyeti kardinali, sipas nipit të tij.
Pasi u sigurua se statujat ishin të gjitha në vend, Ernest Simoni u përgjigj: “Atëherë nuk ka problem.”/mxh
