Fabian Zuleeg*
Ndërhyrja e Donald Trumpit në Venezuelë nuk është një tronditje e rastësishme. Ajo mishëron qasjen e tij të izolacionizmit ndërhyrës, të bazuar në një agjendë revisioniste, neo-nacionaliste, ku pushteti ushtrohet pa doreza, rregullat ndërkombëtare janë opsionale dhe aleancat janë thjesht transaksionale. Në këtë rend të ri botëror “qeni ha qenin”, hezitimi dhe paqartësia nuk e stabilizojnë sistemin; përkundrazi, ato shndërrohen në dobësi që shfrytëzohen nga një Uashington i paqëndrueshëm dhe grabitqar.
Kapja e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, e kombinuar me hamendësimet e reja të Trumpit për marrjen nën kontroll të Grenlandës – potencialisht edhe me përdorimin e ushtrisë amerikane – duhet të shuajë çdo iluzion të mbetur se bëhet fjalë thjesht për sjellje të çrregullta. Ajo pasqyron një botëkuptim ku sovraniteti është i kushtëzuar, sferat e ndikimit janë të ligjshme dhe shtrëngimi normalizohet kur sjell rezultate në interes të Trumpit dhe administratës së tij. Pyetja thelbësore tani nuk është nëse europianët e miratojnë apo jo këtë sjellje, por se si do të reagojnë forcat liberale-demokratike proeuropiane. Tre domosdoshmëri dalin në pah.
E para është kundërshtimi i veprimeve që minojnë rendin ndërkombëtar. Politika e Trumpit ndaj Venezuelës nuk ka të bëjë vetëm me Amerikën Latine. Ajo godet themelet e rendit ndërkombëtar duke sinjalizuar se shtetet e fuqishme mund të shkelin sovranitetin kur kjo u leverdis. Reagimi i Europës ka qenë i kujdesshëm, madje i zbehtë. Kjo përmbajtje shpesh justifikohet me frikën se përballja me Uashingtonin mund të dobësojë mbështetjen amerikane për Ukrainën në një moment vendimtar.
Por ky arsyetim është i gabuar. Veprimet e Trumpit tashmë minojnë vetë argumentin për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës. Duke normalizuar ndryshimin e regjimeve me forcë dhe duke përcaktuar sfera ndikimi globale, Uashingtoni i bën jehonë pikërisht argumenteve që Rusia përdor për të legjitimuar agresionin e saj. Nëse fuqitë e mëdha kanë të drejtë të riorganizojnë fqinjësitë e tyre, pse Moska duhet të ndalet në Ukrainë dhe pse fuqitë e tjera globale duhet të respektojnë të drejtat sovrane të aktorëve më të brishtë? Heshtja europiane nuk e mbron Kievin; ajo e dobëson çështjen e tij, e inkurajon Vladimir Putinin të vazhdojë dhe përshpejton çrregullimin global.
Zbutja nuk e frenon Trumpin. As nënshtrimi nuk ruan stabilitetin. Ai thjesht konfirmon se shtrëngimi funksionon – dhe se Europa do të vazhdojë të përshtatet në vend që të rezistojë. Prandaj është e rëndësishme që udhëheqësit europianë të flasin hapur; deklaratat e figurave si Emmanuel Macron dhe Frank-Walter Steinmeier janë një hap në drejtimin e duhur.
Domosdoshmëria e dytë është që Europa duhet t’i përkushtojë sërish kapacitetet ekzistuese reziliencës dhe sigurisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me investime në aftësi të ardhshme, por me riorientimin e asaj që tashmë ekziston drejt qëndrueshmërisë, parandalimit dhe sigurisë afatgjatë. Europianët zotërojnë asete të konsiderueshme ushtarake, ekonomike dhe industriale, por ato mbeten të fragmentuara, të pashfrytëzuara ose të kufizuara politikisht.
Rezilienca sot nënkupton aftësinë për të përballuar goditjet pa iu nënshtruar presionit. Kjo përfshin sistemet energjetike, zinxhirët e furnizimit, kapacitetet industriale dhe struktura të besueshme mbrojtjeje – por edhe mbështetje të plotë për Ukrainën. Ukraina nuk është një çështje dytësore; ajo është testi i vijës së parë për të parë nëse sovraniteti ende ka rëndësi në fqinjësinë e Europës dhe përtej saj.
Rreziqet e mosveprimit nuk janë teorike. E njëjta logjikë që lidh Venezuelën me Grenlandën mund të zbatohet gjetkë. Rusia mund të testojë argumente të ngjashme në zona si arkipelagu norvegjez i Svalbardit, duke thirrur privilegjet e fuqive të mëdha në Arktik për të vënë në provë vendosmërinë europiane. Po ashtu, përpjekjet amerikane për të përthithur Grenlandën mund të jenë pjesë e një agjende më të gjerë që synon dobësimin e Bashkimit Europian, përçarjen e mëtejshme të europianëve dhe forcimin e forcave politike të lidhura ideologjikisht me trumpizmin brenda shteteve anëtare të BE-së. Dobësia fton eksperimentimin.
Domosdoshmëria e tretë lidhet me unitetin. Uniteti europian është thelbësor, por ai nuk mund të shndërrohet në justifikim për paralizë. Nëse uniteti nuk mund të arrihet, atëherë qeveritë që nuk janë të gatshme të veprojnë – si Hungaria, por edhe të tjera rast pas rasti – duhet të përjashtohen, dhe përjashtimi duhet të ketë pasoja. Shtetet që bllokojnë veprimin kolektiv në nivel europian nuk mund të vazhdojnë të përfitojnë plotësisht nga mbrojtja e përbashkët, bashkëpunimi në siguri apo investimet industriale. Solidariteti është një rrugë me dy drejtime dhe nuk është i pakushtëzuar.
Njëkohësisht, Europa duhet të zgjerojë rrethin e bashkëpunimit. Kjo përfshin koordinim të ngushtë me partnerë me mendësi të ngjashme si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia. Do të thotë gjithashtu të punohet me vende ideologjikisht të ndryshme aty ku interesat përputhen, për të ruajtur të paktën një minimum rregullash mbrojtëse globale. Në një botë të copëzuar, bashkëpunimi pragmatik ka po aq rëndësi sa vlerat e përbashkëta.
Kjo nuk ka të bëjë me krijimin e një blloku të ri. Ka të bëjë me parandalimin e rrëshqitjes drejt një sistemi global ku forca e bën ligjin dhe shtrëngimi bëhet rutinë.
Europa nuk mund ta ndalë Trumpin të marrë vendime shkatërruese. Por ajo mund të ndikojë te stimujt. Nëse Uashingtoni lëviz mbi Grenlandën – ose ndjek akte të ngjashme shtrëngimi – duhet të ketë kosto. Jo gjeste simbolike, por masa që rezonojnë brenda SHBA-së dhe që dëmtojnë Trumpin dhe zgjedhjet e tij politike aty ku i dhemb më shumë: te baza e tij politike. Grenlanda është testi i besueshmërisë së Europës.
Tregtia, qasja në treg, bashkëpunimi rregullator dhe partneritetet industriale ofrojnë të gjitha leva ndikimi. Parandalimi kërkon sinjalizim të qartë se agresioni ka pasoja – jo sepse Europa kërkon përballje, por sepse mungesa e pasojave fton përshkallëzimin.
Basti i Trumpit në Venezuelë është simptomë e një çrregullimi më të thellë. Epoka në të cilën europianët mund të mbështeteshin te të tjerët për të ruajtur rregullat ndërsa vetë përfitonin nga përmbajtja ka përfunduar. Zgjedhja tani nuk është mes besnikërisë dhe pavarësisë, por mes pasivitetit dhe përgjegjësisë.
Europa nuk mund të përballojë të lundrojë pa drejtim, duke shpresuar se paqëndrueshmëria do të kalojë. As nuk mund të blejë siguri përmes heshtjes. Bota po bëhet më e ashpër, më transaksionale dhe më pak tolerante ndaj dobësisë. Përgjigjja e Europës duhet të jetë pjekuria: me fjalë të tjera, të kuptojë se blerja e kohës dhe nënshtrimi vetëm sa rrisin cenueshmërinë e saj.
*Fabian Zuleeg është drejtor ekzekutiv dhe kryeekonomist i Qendrës për Politikat Europiane
Përgatiti për botim: L.Veizi
