Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Greqia mund të bëhet vendi i parë në Bashkimin Evropian që vendos kufizime të drejtpërdrejta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit. Një projektligj i ri, që pritet të kalojë së shpejti në parlament, synon të ndalojë aksesin në platforma si TikTok, Instagram dhe Facebook për fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Sipas propozimit, çdo përpjekje për të hyrë në rrjete sociale nga pajisjet e fëmijëve do të bllokohet automatikisht përmes një aplikacioni shtetëror të quajtur “Kids Wallet”. Ky aplikacion do të lidhet me regjistrin civil grek për të verifikuar moshën e përdoruesit.
Projektligji parashikon gjithashtu kufizime për të rinjtë 15–18 vjeç, duke ndaluar aksesin në platforma që shesin produkte të ndaluara për të miturit, si alkool, cigare, baste ose përmbajtje për të rritur. Filtrimi i përmbajtjes do të bëhet në pajisje dhe infrastrukturë dixhitale, pa ndërhyrë direkt në serverët e kompanive.
Qëllimi është të rritet mbrojtja e të miturve ndaj përmbajtjes së dëmshme dhe të dhunshme, duke i dhënë një rol më aktiv prindërve dhe shtetit. Zyrtarë të Bashkimit Evropian pritet të vizitojnë Athinën për të ndjekur zbatimin e projektit dhe për të marrë përvojat që mund të shërbejnë si model për vendet e tjera.
Ndërsa disa organizata për të drejtat e fëmijëve e përshëndesin iniciativën, kritikët ngrisin shqetësime për privatësinë dhe lirinë e shprehjes./E.S
