Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Më 30 shtator skadon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që nga data 5 shtator ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe procedurat për formimin e qeverisë së re.
Masa ishte marrë pas ankesës së Listës Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke argumentuar se Kuvendi u shpall i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, gjë që sipas tyre përbën shkelje të procedurave kushtetuese.
Kreu i Kuvendit, Dimal Basha, kishte shpallur Kuvendin si të plotë, pavarësisht mungesës së votimit për përfaqësuesin serb në kryesi. Megjithatë, me afatin e masës që po skadon, mbetet e paqartë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm nga institucionet vendore.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pas skadimit të afatit, ajo do të ftojë partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e Kushtetueses, duke e cilësuar si ndërhyrje të panevojshme që ka bllokuar për 25 ditë punën e të gjithë deputetëve.
Sipas mediave në Kosovë, nëse Gjykata Kushtetuese vendos se Kuvendi nuk ishte konstituuar në përputhje me Kushtetutën, do të nevojiten hapa të rinj proceduralë që mund të shtyjnë më tej formimin e qeverisë së re.
