Hailey Bieber po rikthen në modë një prej aksesorëve më nostalgjikë të viteve ’90 dhe 2000. Modelja dhe sipërmarrësja është shfaqur me rrethin e flokëve në formë zig-zag, një aksesor që dikur ishte i pandashëm nga look-u i yjeve të pop-it dhe adoleshenteve.
E njohur për ndikimin e saj në tendencat e modës dhe bukurisë, Hailey duket se po i jep një jetë të dytë këtij aksesori të harruar. Rrethi zig-zag është rikthyer fuqishëm në vitin 2026 dhe tashmë po shihet jo vetëm në look-et casual, por edhe në pasarelat e modës së lartë.
Aksesori karakterizohet nga forma e tij me dhëmbëza në zig-zag, të cilat fiksojnë flokët pas koke dhe ndihmojnë në krijimin e më shumë volumit pranë rrënjëve. Përveçse është praktik, ai i jep flokëve një pamje të çlirët, rinore dhe paksa të shkujdesur.
Ky trend ishte veçanërisht i njohur në fillimvitet 2000, kur figura si Britney Spears, Christina Aguilera, Hilary Duff, Mary-Kate dhe Ashley Olsen, si dhe shumë personazhe të kulturës pop, e kishin kthyer në një aksesor të preferuar.
Tani, Hailey e ka përshtatur me stilin e saj modern. Rrethi i zi prej plastike kombinohet lehtësisht me veshje sportive apo casual dhe funksionon me gjatësi të ndryshme flokësh.
Rikthimi i tij nuk është rastësi. Edhe Miu Miu e ka përfshirë versionin e vet të këtij aksesori në koleksionin vjeshtë-dimër 2026, duke e shndërruar një objekt të lirë dhe nostalgjik në një element të modës së lartë.
Në këtë mënyrë, një aksesor që shumë prej nesh mund ta kenë ende të harruar në ndonjë sirtar, po rikthehet si një prej detajeve më të kërkuara të sezonit. Dhe me Hailey Bieber që po e promovon, rrethi zig-zag duket se është gati të bëhet sërish një nga aksesorët “must-have” të flokëve./mxh
