Një grup hakerësh profesionistë, po kërkon rreth 2 milionë euro nga autoritetet e Berlinit, pasi sulmoi sistemin kompjuterik të administratës publike të qytetit dhe vodhi një sasi të madhe të dhënash.
Grupi, i cili quhet “Rhysida”, pretendon se ka vjedhur rreth 5,7 terabajt të dhëna, mes tyre edhe informacione personale sensitive.
Hakerët kanë nxjerrë të dhënat në shitje në “dark web”, një pjesë e fshehtë e internetit që përdoret shpesh për aktivitete të paligjshme.
Ata kanë vendosur një çmim fillestar prej 30 bitcoin-ësh, rreth 2 milionë euro, dhe ankandi përfundon të premten.
Autoritetet paralajmërojnë se, nëse të dhënat nuk blihen, ato mund të shiten sërish ose të publikohen në internet.
Sulmi kibernetik ka ndodhur mes 7 dhe 12 gushtit, ndërsa lajmi u bë publik më 14 gusht.
Zëdhënësja e Berlinit tha se grupi konsiderohet shumë profesional dhe është lidhur me sulme të tjera kibernetike në Evropë, Gjermani dhe SHBA.
Nuk ka prova për lidhje me Rusinë apo shtetin rus, por autoritetet nuk e përjashtojnë këtë mundësi.
Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, deklaroi se qyteti nuk do t’u nënshtrohet shantazheve./mxh
