Last Updated on 10/09/2026 by Klara
Largimi i Jul Dedës nga “Fiks Fare” duket se ka nxitur një tjetër histori, këtë herë jashtë ekranit. Së fundmi, në media është ngritur pretendimi se pas largimit nga emisioni, aktori dhe moderatori ka nisur të sulmojë përmes një faqeje në Instagram kolegë dhe ish-kolegë të tij nga Top Channel, por edhe figura të TV Klan dhe Syri TV.
Sipas lajmit që po qarkullon, kjo sjellje lidhet me pakënaqësinë pas largimit nga “Fiks Fare” dhe është interpretuar si një formë hakmarrjeje. Jul Deda ka reaguar menjëherë ndaj këtij pretendimi dhe e ka mohuar kategorikisht.
“Është shumë e rëndë të dëgjoj apo të lexoj këto fjalë për mua. E përgënjeshtroj këtë fakt me gjithë fuqinë time. Nuk do guxoja kurrë ta bëja këtë, aq më tepër për vendet ku kam punuar dhe jetuar, aq më tepër për kolegët me të cilët kam punuar,” shkroi ai në Instagram.
Aktori shtoi se nuk ka çfarë tjetër të bëjë përveçse ta mohojë publikisht akuzën.
“Edhe njëherë, e përgënjeshtroj, se më shumë s’di çfarë të bëj, në këtë vend. Kush më beson mirë, kush nuk më beson, s’kam ç’bëj. Faleminderit për mirëkuptimin.”

Reagimi i Jul Dedës vjen pak pasi u bë e ditur se ai nuk do të jetë më moderator i “Fiks Fare” në sezonin e ri. Top Channel njoftoi se emisioni do të moderohet në sezonin e ri nga Olta Gixhari dhe Dorian Ramaliu, të cilët marrin kështu vendin e Julit dhe Xhemi Shehut./k.m
