Last Updated on 30/10/2025 by Leonard
Gjatë festës së All Hallows’ Eve, rrëfimet mbinatyrore ishin një mënyrë për të nxitur lutjet për shpëtimin e shpirtrave që vuajnë.
Nga Michael Carter
Prej shekujsh, bota mbinatyrore – dhe veçanërisht Halloween-i – ka qenë një territor i debatueshëm. Folkloristët e kanë interpretuar këtë festë si një relike të besimeve para të krishtera kelte, kur ndërrimi i stinëve mendohej se e dobësonte membranën që ndante të gjallët nga të vdekurit. Disa ungjillorë të krishterë, sidomos në Shtetet e Bashkuara, e shohin atë si një festë të errët e mëkatare që lartëson okultizmin. Ka edhe nga ata që ankohen se nuk është gjë tjetër veçse një import i fundit, i zhurmshëm, amerikan.
Asnjë nga këto pretendime nuk është plotësisht i vërtetë. Mund të ketë ekzistuar dikur një festë e lashtë në këtë periudhë të vitit, por provat që kemi janë shumë shekuj më të vona dhe nuk mbështesin idenë se ato kremtime kishin ndonjë dimension mbinatyrore. Frika e ungjillorëve zbulon më shumë për formën e tyre të veçantë të krishterimit sesa për arsyet pse Halloween lidhet me përbindësha e fantazma.
Unë jam kurator në English Heritage, dhe nga rrëfimet për një kufomë të kalbur që ringjallet në varrin e vet në Byland Abbey, e deri te djaloshi-fantazmë që bie daulle në Richmond Castle, pothuajse çdo sit ynë historik ka një histori që ta ngre flokët përpjetë.
Sa për “amerikanizimin”, shumica e ritualeve që njohim sot lindën në këtë anë të Atlantikut: gdhendja e llampave (fillimisht nga panxhari ose rrepat), “guising” – veshja me maska, shakaja dhe rrëmuja, si dhe vajtja derë më derë për të kërkuar ëmbëlsira – një formë e lypjes së “lejuar” që forconte lidhjet e komunitetit. Biskotat e vogla me tërshërë, të quajtura soul cakes, që jepeshin në këmbim të lutjeve, përmenden për herë të parë në shekullin XV, duke treguar se Halloween kishte marrë tashmë ngjyrë të krishterë, si festa e All Hallows’ Eve më 31 tetor, ose, me emrin e saj zyrtar, Vigjilja e Festës së të Gjithë Shenjtorëve.
Dita e të Gjithë Shenjtorëve, që kremtohet më 1 nëntor që prej shekullit të VIII, nderon shenjtorët e njohur dhe të panjohur, përfshirë shpirtrat që besohej se kishin arritur lumturinë qiellore. Por vetëm më të virtytshmit shkonin menjëherë atje. Për shumicën e të krishterëve i priste Purgatori, ku shpirtrat ndëshkoheshin për t’u pastruar nga mëkatet. Në fund, ata ngjiteshin në parajsë, por vuajtjet që përjetonin ndërkohë besohej se ishin po aq të tmerrshme sa ato që ndëshkonin të mallkuarit në ferr përjetësisht.
Në shekullin XI, murgjit u erdhën në ndihmë. Ata krijuan Festën e të Gjithë Shpirtrave më 2 nëntor – një ditë që të gjallët të luteshin dhe të bënin vepra të mira për ata që vuanin në purgator. Jepeshin lëmosha dhe soul cakes në këmbim të lutjeve, dhe meshat këndoheshin për të përshpejtuar ngjitjen e shpirtrave drejt qiellit.
Rrëfenjat me fantazma u përhapën shpejt, duke treguar për shpirtra të trazuar që ktheheshin nga purgatori për t’i lutur të gjallët për ndihmë. Nuk është rastësi që shumica e këtyre tregimeve mbinatyrore u shkruan nga murgj dhe murgesha – rrëfime që, pa përjashtim, theksonin fuqinë e lutjes monastike për shpëtimin e shpirtrave që vuajnë.
Reformacioni i bëri shkrumb manastiret dhe e hodhi poshtë idenë e purgatorit si të pajustifikuar nga Shkrimi i Shenjtë. Për shumë protestantë, vetë katolicizmi po merrte ngjyrime djallëzore. Me kalimin e shekujve, edhe historitë me fantazma ndryshuan vazhdimisht, duke pasqyruar çdo herë shpirtin dhe moralin e epokës që i tregonte këto “tmerre të këndshme”.
Sado të largët të ndihemi sot nga Halloween-i mesjetar i krishterë, kjo festë ende na flet për diçka thellësisht njerëzore. Ajo na kujton se vdekja na vjen të gjithëve. Është një përgatitje për atë që vjen më pas – qoftë ai përtejbotë, qoftë një vend në zemrat e atyre që kemi lënë pas. Para se të vdesim mirë, duhet të jetojmë mirë. Dhe kjo përfshin edhe një Halloween të frikshëm, por të gëzuar.
Dr. Michael Carter është kurator në English Heritage/ Përgatiti për botim: L.Veizi
