Harry Styles është përfshirë në një valë kritikash pas publikimit të dizajnit të një bilete për koncertin e tij në Nju Jork, e cila, sipas fansave, përmban një referencë të papërshtatshme ndaj sulmeve të 11 Shtatorit. Reagimet erdhën vetëm dy ditë para 25-vjetorit të sulmeve terroriste që tronditën Nju Jorkun dhe SHBA-në.
Në biletën për koncertin e 9 shtatorit në Madison Square Garden shfaqet një makinë e verdhë, që duket sikur ka Harry Styles brenda, duke fluturuar pranë majës së Empire State Building dhe duke lënë pas një gjurmë në drejtim të ndërtesës.
TONIGHTS TICKET https://t.co/6RkS6hkOnY
— cove 💋🪩 (@familyshowstyle) September 9, 2026
Imazhi u shpërnda në rrjetet sociale dhe fansat vunë menjëherë në dukje ngjashmërinë e skenës me sulmet e 11 Shtatorit 2001, kur dy avionë u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
“Ta vendosësh këtë në pjesën e pasme të biletës në javën e 11 Shtatorit është çmenduri”, shkroi një përdorues në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër komentoi: “Paksa e guximshme, duke pasur parasysh se jemi në javën e 11 Shtatorit në Nju Jork”.
“Vëlla, kjo është e çuditshme”, shkroi një tjetër, ndërsa një fans pyeti: “Kush e miratoi këtë?”.

Koncerti për të cilin është përdorur bileta ishte shfaqja e shtatë e Styles në Madison Square Garden, si pjesë e qëndrimit të tij 30-netësh në Nju Jork. Këngëtari e nisi serinë e koncerteve më 26 gusht dhe do të vijojë të performojë deri më 31 tetor.
Kjo polemikë vjen në një periudhë veçanërisht të ndjeshme për Nju Jorkun, i cili po përgatitet të përkujtojë gati 3 mijë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001. Sulmet mbeten më vdekjeprurëset në historinë e SHBA-së.
Për momentin, nuk dihet nëse dizajni i biletës ishte menduar si një referencë ndaj 11 Shtatorit. Përfaqësuesit e Styles nuk kanë komentuar publikisht mbi reagimet.
Ndërkohë, Styles ndodhet në mes të turneut të tij “Together, Together”, i cili ka nisur pas publikimit të albumit të tij të katërt solo, “Kiss All the Time. Disco, Occasionally.” Pas Nju Jorkut, ai do të vijojë me koncerte në Australi, ndërsa më 10 shtator pritet të njoftojë edhe datat e reja të turneut për vitin 2027
Këngëtari u ka konfirmuar fansave se datat e reja do të përfshijnë “qytetet e fundit” të turneut dhe se, pas përfundimit të tij, nuk e di ende se çfarë do të vijë më pas për të./k.m
