Një analizë e publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e World Resources Institute (WRI), tregon se një pjesë e madhe e botës po përballet me nivele të larta të stresit ujor, ndërsa burimet po afrohen gjithnjë e më shumë me kufijtë e tyre.
Sipas raportit, vendet klasifikohen në pesë kategori, nga “stres i ulët” deri në “stres ekstrem”, në varësi të përqindjes së burimeve ujore që përdoren çdo vit. Vendet me stres ekstrem konsumojnë mbi 80% të burimeve të tyre të disponueshme, duke rrezikuar mungesa serioze furnizimi.
Në krye të listës janë vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, si Katari, Izraeli, Libani dhe Arabia Saudite, ku kërkesa për ujë tejkalon ndjeshëm furnizimin natyror.
Edhe vende të mëdha si India dhe Pakistani përballen me nivele shumë të larta stresi, për shkak të kombinimit të popullsisë së madhe dhe përdorimit intensiv në bujqësi.
Shqipëria jashtë zonës së stresit të lartë
Sipas hartës së publikuar nga Visual Capitalist (bazuar në të dhënat e World Resources Institute), në Europë, vendi me stresin më të lartë sipas raportit është Belgjika (52.8%), por për arsye krejt të ndryshme nga vendet mesdhetare, nga një kombinim i konsumit intensiv dhe burimeve relativisht të kufizuara për frymë.
Në tërësi, Europa nuk konsiderohet një kontinent me stres ekstrem ujor, por paraqet një ndarje të qartë gjeografike. Europa Jugore dhe Mesdhetare është më e ekspozuara, me vende si Greqia, Spanja, Portugalia dhe Italia që përballen me presion më të lartë për shkak të klimës më të thatë dhe përdorimit intensiv të ujit, veçanërisht në bujqësi dhe turizëm.
Ndërkohë, Europa Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë, renditet kryesisht në nivele të ulëta deri mesatare të stresit ujor, ndërsa Europa Veriore ka situatën më të favorshme, falë reshjeve të shumta dhe burimeve të bollshme.
Sipas hartës së publikuar, Shqipëria nuk klasifikohet në vendet me stres të lartë apo ekstrem ujor. Ajo bën pjesë në grupin e vendeve me stres të ulët deri mesatar, falë burimeve relativisht të bollshme ujore. Shqipëria renditet në vendin e 124, ku stresi ujor është vetëm 4.8%, duke u renditur ndër vendet e Europës që kanë përdorim të ulët të burimeve ujore.
Më mirë se Shqipëria në rajon është Bosnjë Hercegovina (2.1%), ndërsa në Europë janë Suedia (3.6%), Sllovakia (2.4%), Norvegjia (2%), Kroacia (1.5%), Islanda (0.4%).
Në rajon, Maqedonia e Veriut ka më shumë mungesë të burimeve ujore (53%), ndër më të ulëtat në Europë për shkak të burimeve të kufizuara ujore. Më mirë është Serbia (5.7%)
Bota: Gjysma e popullsisë përballet me stres të lartë ujor
Sipas raportit, rreth gjysma e popullsisë globale jeton në vende me stres të lartë ose ekstrem ujor. Ky është një tregues i rëndësishëm i presionit në rritje mbi burimet natyrore, veçanërisht në zonat me rritje të shpejtë demografike dhe përdorim intensiv të ujit.
Një sfidë që po afrohet
Megjithëse Shqipëria dhe një pjesë e Ballkanit mbeten jashtë zonave më kritike, trendi global tregon se presioni mbi burimet ujore po rritet. Ndryshimet klimatike, rritja e kërkesës dhe përdorimi joefikas i ujit pritet ta thellojnë këtë problem në vitet në vijim.
Në këtë kuadër, edhe vendet që sot konsiderohen relativisht të sigurta, nuk janë të përjashtuara nga rreziku në afatgjatë, paralajmëron raporti./mxh
