Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka folur në emisionin “Top Story” për publikimin e mesazheve të komunikimeve të ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke komentuar edhe atë që ai e cilësoi si nisje të “hakmarrjes” së saj.
Murrizi deklaroi se, sipas tij, kjo “hakmarrje” ka nisur me gazetaren Klodiana Lala, gjatë momentit kur ajo po hynte në GJKKO për marrjen e masës së sigurisë.
“Atë që i thotë do t’i fik radarët, atë që i thotë zemër, do hakmerremi… Hakmerremi është intimidimi i Klodiana Lalës, hakmarrja këtu fillon. Ajo e di kush ka hyrë e kush ka dalë nga zyra e Agasit se kanë qenë bashkëpunëtorë. Për dreq kam qenë edhe unë disa ditë atje, aty e kam shtëpinë, zona ku u arrestua Agasi. (Ndërhyn Grida Duma) Me lekët e mija blej shtëpi ku të dua Grida.
Kamarieri më ka shërbyer edhe mua, ai djali është për moskallëzim krimi, se ka për detyrë të dëgjojë çfarë thonë. Në dijeninë time nuk i ka dërguar ushqim, por ai ka ngrënë aty (lokal), dhe ky shërben punon. Rama ka qenë dijeni për mua, por nuk ka dashur, mendoj që SPAK ia ka komunikuar këtë masë. Mendoj që Rama ka menduar ta shkarkojë, që të thotë e shkarkova”, tha Murrizi.
Më tej, Murrizi pretendoi se ish-drejtuesja e SHISH e dinte se kush hynte dhe dilte nga zyra e Ergys Agasit, duke pretenduar se ata kanë qenë bashkëpunëtorë.
Ish-deputeti foli gjithashtu për marrëdhënien mes Hysenit dhe ish-kreut të SPAK, Altin Dumani. Sipas Murrizit, Hyseni ka pirë kafe me Dumanin çdo të hënë deri në qershor të vitit 2025.
“Deri në qershor 2025, çdo të hënë pinte kafe me Dumanin, deri sa e përzuri Dumani”, tha Murrizi.
Pjesë nga diskutimi në studio
Gjatë diskutimit, gazetari Arjon Sulo tha: “Në Kosovë ajo është shkarkuar si person i ngarkuar në detyrë për SHIK dhe për rrjedhje informacioni me shtetas amerikanë. Ka ardhur 2 vjet këshilltare dhe e kanë bërë kryetare të SHISH. Ajo ka letrat, ka përgjuar gjithë dynjanë.”
Ndërsa moderatori Alban Dudushi u shpreh: “Jemi tek pretendimi i prokurorisë, që kjo zonja ka shitur të dhëna sensitive të shtetit shqiptar…”
Myslim Murrizi përsëriti: “Deri në qershor 2025, çdo të hënë pinte kafe me Dumanin, deri sa e përzuri Dumani”./ad
