Ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me një mori akuzash pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet e parakohshme. Tashmë, ai akuzohet për lidhje me eksponentë të botës së krimit, pasi emri i tij doli në përgjigjet e zbërthyera nga autoritetet serbe, në aplikacionin e enkriptuar “SkyEcc”.
Sipas mediave serbe, gjykatësi Vladan Ivankoviç i Gjykatës së Lartë të Beogradit, ka urdhëruar prokurorinë e posaçme TOK që të marrë në pyetje Vuçiç së bashku me ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Operacioneve të BIA-s, Marko Parezanoviç në kuadër të dosjes së Darko Sariç.
Në përgjime, emri i Vuçiçit përmendet në diskutime që lidhen me kontakte politike, vota dhe çështje gjyqësore. Publikimi ngre pikëpyetje mbi marrëdhëniet e pretenduara mes personave të botës së krimit dhe rrethit politik serb.
Një nga mesazhet më të drejtpërdrejta daton më 3 qershor 2020. Darko Sariç, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, i shkruante bashkëpunëtorit të tij Željko Vujanoviç: “Ne e quajmë Oskar Vuçiç”. Në një tjetër komunikim, më 31 korrik të po atij viti, kur Vujanoviç u pyet se kush ishte “Oskar”, përgjigjja e tij ishte: “Dhe pastaj kaos. Vuçiç.”
Identifikimi i nofkës tjetër shfaqet në një mesazh të 20 nëntorit 2020, kur Darko Shariç i shkruante vëllait të tij, Dusko Sariç: “Çvarak është Oscar”.
Në përgjime përmenden gjithashtu Andrej Vuçiç, vëllai i presidentit serb, dhe Danilo Vuçiç, djali i tij. Mesazhet përmbajnë referenca për kontakte të pretenduara me Aleksandar Boškoviçin, një person i lidhur me procedura penale që përfshijnë Shariçin, si dhe diskutime për sigurimin e votave dhe ndërmjetësime.
Në një prej komunikimeve të publikuara, Duško Sariç përmend një takim të mundshëm me “vëllain e Oskarit” dhe diskutime që lidhen me 2.000 vota.
Pas publikimit të përgjimeve, edhe “Lista Studentore” ka bërë thirrje për hetim të thelluar ndaj Vuçiç.
“I bëjmë thirrje Prokurores së Lartë Publike, Zagorka Dolovac , që të emërojë një prokuror kompetent për të hetuar këto akuza, i cili do të hapte procedurat paraprake hetimore për të përcaktuar përgjegjësinë penale të qytetarit privat Aleksandar Vuçiç. Në këtë drejtim, i bëjmë thirrje Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar, Mladen Nenadiç , që të hapë një çështje penale kundër të gjithë individëve që morën pjesë në këtë sipërmarrje dhe të mbledhë dokumentacionin e nevojshëm për ta ndjekur atë.”- thuhet mes të tjerash në deklaratën e studentëve.
Darko Shariç dhe të pandehurit e tjerë po gjykohen para Departamentit Special të Gjykatës së Lartë në Beograd me dyshimin se kanë pastruar të paktën 20 milionë euro të fituara përmes trafikimit të drogës. Në vitin 2020, Sariç u dënua fillimisht me nëntë vjet burg në këtë rast, por vendimi u rrëzua dy vjet më vonë dhe u urdhërua një rigjykim. /ad
