Një shtetas ukrainas, i dyshuar për koordinimin e sabotimit të gazsjellësit Nord Stream në vitin 2022, mbërriti në Gjermani, pasi gjykata më e lartë e Italisë miratoi dorëzimin e tij javën e kaluar, thanë prokurorët federalë gjermanë.
Shpërthimet që shkatërruan gazsjellësin në Detin Baltik tre vjet më parë ndërprenë kryesisht transitin e gazit rus drejt Evropës, duke shtrënguar furnizimet me energji në kontinent, megjithëse Rusia tashmë i kishte ndërprerë kryesisht dërgesat.
Si Rusia ashtu edhe vendet Perëndimore e kanë cilësuar incidentin si akt sabotazhi. Hetuesit kanë kaluar vite duke rindërtuar misterin se kush fshihej pas tij.
Burri, i identifikuar si Serhii K sipas ligjeve gjermane të privatësisë që në përgjithësi ndalojnë identifikimin e plotë të të dyshuarve, mohon çdo rol në sulme. Avokati i tij, Nicola Canestrini, ka thënë se është i bindur se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm në një gjyq në Gjermani.
Prokurorët gjermanë e akuzojnë atë se i përket një grupi personash që vendosën pajisje në tubacionet pranë ishullit danez Bornholm në Baltik. I dyshuari u ndalua me një urdhër-arresti evropian në qytetin italian Rimini në gusht dhe kishte kundërshtuar përpjekjet për transferimin e tij në Gjermani. Ai përballet me akuza për bashkëpunim në shkaktimin e një shpërthimi, sabotazh antikushtetues dhe shkatërrim të strukturave të rëndësishme.
“I akuzuari u transferua nga Italia sot. Ai është planifikuar të dalë para gjyqtarit hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Karlsruhe nesër,” thanë prokurorët.
Muajin e kaluar, një gjykatë në Poloni vendosi kundër dorëzimit të një tjetër të dyshuari ukrainas të kërkuar nga Gjermania në lidhje me shpërthimet dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi./mxh
