Të paktën 490.334 ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Kjo është shifra që rezulton nga analiza e të dhënave të agjencisë shtetërore ruse të statistikave, Rosstat, të siguruara nga BBC Russian.
Të dhënat e rrjedhura zbulojnë përmasat e mëdha të humbjeve njerëzore dhe ndryshimet rrënjësore në modelet e vdekshmërisë në Rusi, si pasojë e luftës që Vladimir Putin kishte parashikuar se do të zgjaste vetëm disa ditë, por që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.
BBC Russian ka analizuar më shumë se 11 milionë regjistrime vdekjesh për periudhën nga viti 2021 deri në shtator 2026. Të dhënat u siguruan pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi bjellorus Cyber Partisans BY dhe grupi ukrainas Silent Crow.
Rosstat pranoi se ishte bërë objekt i një sulmi kibernetik, por mohoi që të ishin publikuar informacione të mbrojtura. Në bashkëpunim me median e pavarur ruse Mediazona, BBC krahasoi të dhënat e rrjedhura me listën e saj të ushtarëve rusë të vrarë, të dokumentuar përmes burimeve të hapura. Analiza identifikoi përputhje në rreth 90% të rasteve.
Të rinjtë rusë, viktimat kryesore të luftës
Një nga gjetjet më tronditëse lidhet me moshat e reja. Sipas të dhënave, 65% e meshkujve rusë të moshës 18-24 vjeç që humbën jetën gjatë vitit 2025 u vranë në luftë. Për grupmoshën 25-34 vjeç, kjo përqindje arrin në 59%.
Vetëm te grupmosha 45-54 vjeç, sëmundjet kardiovaskulare rezultojnë shkaku kryesor i vdekjeve, përpara humbjeve në frontin ukrainas.
Të dhënat tregojnë gjithashtu koston e jashtëzakonshme njerëzore të betejave për territore të vogla. Rreth 20 mijë ushtarë rusë u vranë në luftimet për kontrollin e vetëm 10 fshatrave ukrainase, të cilat para luftës kishin një popullsi të kombinuar prej 12 mijë banorësh.
Një shembull është fshati Andriivka, në jug të qytetit të Bakhmutit, në rajonin e Donetskut. Gjatë luftimeve për këtë vendbanim humbën jetën 1.122 ushtarë rusë, ndërsa para luftës fshati kishte vetëm 74 banorë.
Si u arrit shifra prej afro gjysmë milioni?
Të dhënat e Rosstat nuk përmbajnë emrat e personave të vdekur, por përfshijnë moshën, vendbanimin, vendin dhe rrethanat e vdekjes. BBC Russian filtroi fillimisht regjistrimet që lidhen me Ukrainën dhe rajonet kufitare ruse ku pati ndërhyrje të forcave ukrainase.
Në këtë mënyrë u identifikuan 425.174 raste me shkaqe vdekjeje të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetet ushtarake, si shpërthimet dhe plagët nga copëzat e predhave gjatë luftimeve.
Për të shmangur përfshirjen e civilëve, u përjashtuan gratë dhe personat jashtë grupmoshës 18-65 vjeç. U analizuan gjithashtu 14.093 raste të identifikuara përmes të dhënave të punësimit dhe 51.067 raste të tjera të regjistruara si të vdekur me vendim gjykate, një praktikë që përdoret shpesh kur ushtarët rezultojnë të zhdukur në luftime për më shumë se gjashtë muaj dhe trupat e tyre nuk gjenden.
Nga ana tjetër, lista e BBC Russian dhe Mediazona, e bazuar në njoftime zyrtare, rrjete sociale, memoriale dhe varre të identifikuara, ka dokumentuar 290.012 ushtarë rusë të vrarë.
Megjithatë, numri real mendohet të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë vdekje nuk bëhen publike.
Rajonet më të varfra paguajnë çmimin më të lartë
Analiza zbulon se disa nga rajonet më të varfra të Rusisë, veçanërisht në Siberinë Lindore, kanë një përqindje jashtëzakonisht të lartë të humbjeve njerëzore.
Burrat nga Tyva, Buryatia dhe rajoni Zabaykalsky kanë 20 deri në 25 herë më shumë gjasa të vriten në luftë sesa banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut.
Ndërkohë, mosha mesatare e ushtarëve rusë të vrarë është rritur nga 34 vjeç në vitin e parë të luftës në 40 vjeç në vitin 2025. BBC e lidh këtë ndryshim me përfshirjen gjithnjë e më të madhe të të burgosurve dhe ushtarëve të rekrutuar me kontratë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se të paktën 5.017 shtetas të huaj kanë humbur jetën duke luftuar për Rusinë. Mes tyre janë 1.031 shtetas uzbekë dhe 720 shtetas nga Taxhikistani.
Kjo shifër konsiderohet konservatore, pasi personat me shtetësi të dyfishtë regjistrohen si shtetas rusë. Gjithashtu, në bazën e të dhënave nuk figurojnë ushtarët koreano-veriorë të vrarë gjatë luftimeve në territorin rus në vitin 2024.
BBC ka identifikuar 2.304 ushtarë koreano-veriorë të vrarë, duke analizuar imazhe satelitore dhe fotografi zyrtare të një memoriali të ndërtuar së fundmi në Phenian.
Humbjet reale mund të kalojnë 640 mijë ushtarë
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se lista prej 290.012 ushtarësh rusë të vrarë, e dokumentuar nga burime të hapura, mund të përfaqësojë vetëm 45-55% të numrit real të viktimave.
Sipas këtij vlerësimi, numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë të vrarë mund të jetë nga 527.295 deri në 644.471.
Shifrat tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të humbjeve ruse në një konflikt që ka zgjatur katër vjet e dhjetë muaj, duke tejkaluar në shkallë njerëzore shumë prej pritshmërive fillestare të Kremlinit.
Për krahasim, humbjet e Ukrainës janë vlerësuar për herë të fundit në rreth 50 mijë ushtarë nga presidenti Volodymyr Zelensky, në korrik 2026. Ndërkohë, faqja anonime UA Losses, e cila mbledh të dhëna nga burime të hapura, raporton 115.952 ushtarë ukrainas të vrarë. /k.m
