Last Updated on 27/11/2025 by EL
Dy deputetë të të Gjelbërve zviceranë, Greta Gizin dhe Raphael Mahaim, i kanë bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm federal për të hetuar dhuratat që biznesmenë zviceranë i kanë ofruar presidentit amerikan Donald Trump në fillim të nëntorit, raporton Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).
Delegacioni i biznesmenëve udhëtoi në Uashington për të diskutuar me Trumpin ndikimin e tarifave prej 39% mbi produktet zvicerane, të zbatuara që nga gushti. Gjatë vizitës, ata i dhuruan presidentit një orë tavoline Rolex dhe një shufër ari të personalizuar, që tërhoqën menjëherë vëmendjen e mediave zvicerane dhe amerikane. Këto dhurata u komentuan si pjesë e asaj që shtypi amerikan e quajti “diplomacia e shufrave të arit”.
Dhjetë ditë pas vizitës, Berna dhe Uashingtoni njoftuan një deklaratë të përbashkët për të ulur tarifat mbi produktet zvicerane në 15%. Deputetët zviceranë argumentojnë se ngjarja ka rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që drejtësia të sqarojë nëse dhuratat përbëjnë një avantazh të pajustifikuar sipas ligjit penal zviceran, duke iu referuar nenit 322 të Kodit Penal, që lidhet me korrupsionin e zyrtarëve publikë të huaj.
Në takim ishin të pranishëm ndër të tjerë Jean-Frédéric Dufour, Drejtor Ekzekutiv i Rolex, dhe Marouane Sakartsi, Drejtor Ekzekutiv i MKS PAMP, kompani e njohur për shkrirjen dhe tregtimin e arit.
Deputetët paralajmërojnë se besueshmëria e institucioneve zvicerane dhe reputacioni i vendit në arenën ndërkombëtare janë në rrezik, dhe kërkojnë hetim të plotë mbi këtë çështje./E.T
