Një skemë e mirëorganizuar mashtrimi dhe vjedhjeje, e zhvilluar përmes aplikacionit të njohjeve Tinder, është zbuluar nga autoritetet në Turqi. Tetë persona janë arrestuar, pasi dyshohet se shfrytëzonin njohjet dhe takimet e krijuara përmes aplikacionit për t’u vjedhur telefonat viktimave dhe më pas për të përvetësuar paratë nga llogaritë e tyre bankare.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Ankarasë, hetimet u zhvilluan nga efektivët e sektorit të krimeve kundër pronës në Drejtorinë e Policisë së Ankarasë. Pas mbledhjes së provave, më 3 nëntor u organizuan operacione të njëkohshme në tri provinca: Ankara, Kastamonu dhe Sirnak.
Mes tetë personave të arrestuar është edhe një individ që dyshohet se drejtonte grupin kriminal, ndërsa shtatë të tjerët dyshohet se ishin pjesë e organizatës.
Mënyra e veprimit të grupit ishte e organizuar dhe bazohej në krijimin e marrëdhënieve me persona të panjohur përmes Tinder. Të dyshuarit komunikonin me viktimat, duke u paraqitur si persona të interesuar për miqësi dhe njohje të reja. Pasi fitonin besimin e tyre, organizonin takime, gjatë të cilave shfrytëzonin momentet e shpërqendrimit për të mësuar kodet e zhbllokimit të telefonave.
Pasi siguronin kodet, ata vidhnin pajisjet dhe i përdornin për të hyrë në llogaritë bankare të viktimave. Më pas, transferonin paratë në llogari bankare të personave të tretë, për të shmangur gjurmimin e drejtpërdrejtë të transaksioneve.
Paratë e transferuara tërhiqeshin më pas dhe kalonin në llogaritë personale të anëtarëve të grupit, të cilët i ndanin mes tyre.
Sipas të dhënave të hetimit, aktiviteti kriminal nuk ishte kufizuar vetëm në Ankara, por ishte shtrirë në pesë provinca të ndryshme të Turqisë. Autoritetet kanë zbuluar se të dyshuarit kishin përdorur të njëjtën skemë në disa raste, duke përfituar financiarisht nga telefonat dhe llogaritë bankare të personave që kishin takuar përmes aplikacionit.
Gjatë operacioneve të zhvilluara në tri provincat, policia kreu kontrolle në adresat e personave të dyshuar dhe sekuestroi një numër të konsiderueshëm materialesh dhe pajisjesh digjitale, të cilat pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit.
Deri më tani, autoritetet turke nuk kanë bërë publike numrin e saktë të viktimave dhe as shumën totale të parave të përvetësuara. Gjithashtu, nuk janë dhënë detaje nëse të gjithë personat e dëmtuar janë identifikuar.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vijojnë me qëllim zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, identifikimin e të gjitha rasteve të ngjashme dhe dokumentimin e përgjegjësisë së secilit prej të dyshuarve/ad
