Antigona Ramosaj, nëna e këngëtares së njohur Beatrix Ramosaj, ka ndarë me publikun një lajm prekës dhe frymëzues nga përballja e saj me një sëmundje të rëndë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo bëri të ditur se ka përfunduar një etapë të rëndësishme të trajtimit kundër kancerit.
“Sot i rashë gongut me një zemër plot mirënjohje. Ky nuk është thjesht fundi i një trajtimi, por dëshmi e forcës, besimit dhe durimit,” shkruan ajo.
Në mesazhin e saj, Antigona shpreh falënderim të thellë ndaj Zotit për forcën në momentet më të vështira, ndaj mjekëve dhe infermierëve për përkushtimin gjatë trajtimit, si dhe ndaj familjes dhe të gjithë atyre që e mbështetën me lutje dhe dashuri.
“Faleminderit Zotit që më mbajti në këmbë kur u ndjeva pa fuqi, që më dha dritë në errësirë dhe njerëz të mirë rreth meje kur kisha më shumë nevojë. Me zemër mirënjohëse falënderoj çdo mjek, çdo infermiere, familjen time dhe të gjithë ju që më qëndruat pranë,” u shpreh ajo.
Megjithëse ky është një moment i madh fitoreje, Antigona thekson se rrugëtimi i saj nuk ka përfunduar ende. Ajo do të vazhdojë me kontrolle dhe hapa të tjerë mjekësorë, por sot zgjedh të ndalet për të festuar jetën dhe forcën që e ka shoqëruar në këtë betejë.
“Sfida vazhdon, më presin kontrolle dhe hapa të tjerë, por sot po festoj këtë fitore të madhe dhe jetën që vazhdon,” përfundon ajo./mxh
