Last Updated on 20/11/2025 by Monika
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, deputetja demokrate Ina Zhupa ngriti alarmin për gjendjen e rëndë të fëmijëve në Shqipëri, duke renditur statistika të cilat, sipas saj, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti.
Zhupa theksoi se 48% e fëmijëve nën 6 vjeç jetojnë në rrezik varfërie, ndërsa 77% e moshës 2–14 vjeç përjetojnë forma të disiplinës së ashpër, përfshirë dhunë fizike, sipas Këshillit të Europës. Ajo shtoi se 86% e fëmijëve ndihen të pambrojtur në të drejtat e tyre, ndërsa 17% e fëmijëve nën 5 vjeç janë obezë, një nivel trefish mbi mesataren globale.
“Këto nuk janë thjesht numra, por realitete që kërkojnë veprim urgjent,” u shpreh Zhupa, duke kritikuar faktin që lajmet për korrupsion zënë faqet e para, ndërsa problemet e fëmijëve shpesh anashkalohen.
Ajo kërkoi forcim të ligjeve për mbrojtjen e fëmijëve, mbështetje ekonomike për familjet në nevojë, investime në arsim, shëndet, ushqyerje dhe mekanizma më të fortë kundër dhunës në familje e shkolla. Zhupa nënvizoi se edhe zëri i fëmijëve duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.
“Fëmijët janë e ardhmja e vendit. Nëse nuk i mbrojmë sot, nuk mund të pretendojmë një Shqipëri më të mirë nesër,” deklaroi ajo./MXH
