Last Updated on 04/08/2025 by adminfjala
India po financon luftën ruse në Ukrainë, duke blerë naftë nga Moska. Akuza erdhi nga një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit i bëri thirrje Nju Delhit të ndalë blerjen e naftës ruse.
Në një prononcim për Fox News, Stephen Miller, zv.shef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë dhe një prej këshilltarëve më të besuar të presidentit qortoi ashpër Indinë që siç tha, hiqet si një prej partnerëve më të ngushtë të shba por nuk pranon produktet e tyre.
“Ajo që Trump tha shumë qartë është se është e papranueshme për Indinë të vazhdojë financimin e kësaj lufte duke blerë naftën ruse. Njerëzit do të jenë të shokuar të mësojnë se India është praktikisht e lidhur me Kinën në blerjen e naftës ruse. Ky është një fakt befasues. India e përkufizon veten si një prej aleatëve tonë më të ngushtë por nuk pranon produktet tona”, tha Miller.
Kritika e Miller ishte një prej komenteve më të forta deri më tani nga administrata Trump lidhur me një prej partnerëve kryesore të SHBA në rajonin e indo-paqësorit.
Ambasada indiane në Uashington nuk ju përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Por burime të qeverisë indiane thanë për agjencinë e lajmeve Reuters të shtunën se Nju Delhi do të vazhdojë të blejë naftë nga Moska, pavarësisht kërcënimeve. m.p.
