Ish-kreu i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, 78 vjeç, është gjetur i pajetë këtë të shtunë në banesën e tij në fshat. Sipas mediave italiane, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, ndërsa ngjarja vjen në një kohë kur ndaj tij po zhvilloheshin hetime nga Prokuroria e Kalatanisetës.
Familjarët u alarmuan pasi De Gennaro nuk u përgjigjej telefonatave dhe njoftuan policinë ku pas kontrollit të banesës, ai u gjet pa shenja jete.
Sipas raportimeve, 78-vjeçari ishte tërhequr nga kontaktet me të tjerët që prej kontrollit të banesës së tij në kuadër të hetimeve. Më 1 dhjetor pritej që gjykata të shqyrtonte kërkesën për arrestimin e tij, pasi gjyqtari i hetimeve paraprake e kishte rrëzuar më herët këtë kërkesë. Prokuroria kishte paraqitur ankim dhe kërkuar sërish masën e arrestit.
Vdekja e De Gennaros ka shkaktuar reagime të shumta në Itali. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e cilësoi atë një funksionar të rëndësishëm të shtetit, i cili i kishte shërbyer vendit në poste të larta gjatë periudhave të vështira historike. Ndërsa zëvendëskryeministri Antonio Tajani e cilësoi atë viktimë të proceseve që, sipas tij, janë zhvilluar jashtë sallave të gjyqit. Edhe Matteo Salvini e konsideroi De Gennaron viktimë të një sulmi që nuk e meritonte.
Reagim pati edhe nga Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit të vrarë Paolo Borsellino, i cili akuzoi Prokurorinë e Kalatanisetës për përgjegjësi në atë që ndodhi. Ai vuri në pikëpyetje kompetencën e kësaj prokurorie për hetimin, duke pretenduar se çështja duhej të ndiqej nga Prokuroria e Palermos.
Sipas Borsellinos, hetimi synonte të zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësitë e mundshme të njësisë ROS të Karabinierëve dhe shërbimeve sekrete për zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” të Paolo Borsellinos./k.m
