Last Updated on 05/08/2026 by EL
Influencuesi meksikan César Gastélum është qëlluar për vdekje ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok, në një ngjarje të ndodhur të martën në mbrëmje në qytetin verior të Culiacán.
Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, Gastélum po filmonte me dy miq jashtë një restoranti të ushqimit të shpejtë në zonën Tres Ríos, kur dy persona me motoçikletë iu afruan. Njëri prej tyre e qëlloi nga afër, ndërsa më pas të dy autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Gastélum kishte më shumë se 500 mijë ndjekës në TikTok, ku publikonte kryesisht video me përmbajtje humoristike.
Gjatë transmetimit, ai dhe miqtë e tij mbanin veshur pallto dhe çanta portokalli, të përdorura zakonisht nga shoferët e shpërndarjes. Sipas mediave lokale, kjo bëri që policia fillimisht të dyshonte se viktima ishte një shpërndarës, por më vonë u konfirmua identiteti i tij.
Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë rrethuar zonën e ngjarjes dhe po analizojnë gëzhojat e gjetura, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë, në përpjekje për të identifikuar autorët.
Deri më tani nuk është raportuar për arrestime, ndërsa dy personat që dyshohet se kryen vrasjen mbeten në arrati.
Kjo është vrasja e radhës e një influencuesi në Meksikë. Vitin e kaluar, 23-vjeçarja Valeria Márquez u vra me armë zjarri teksa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok nga një sallon bukurie./et
