Debati për projektin turistik në Zvërnec dhe Pishë Poro ka marrë vëmendje edhe në mediat greke, ku televizioni Star Channel News i ka kushtuar një kronikë të veçantë investimit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Në kronikë, projekti paraqitet si një zhvillim me ndikim të madh jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për konkurrencën turistike në rajon, veçanërisht për ishujt grekë të Jonit.
“Dhëndri i Trump, Jared Kushner, është i vendosur ta bëjë Rivierën shqiptare një vendpushim të nivelit të lartë dhe me hotele me pesë yje”, thuhet në hyrje të kronikës.
Gazetari grek thekson se investimi parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe shumë të madhe në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros.
“Po flasim për dy milionë e gjysmë metra katrorë. Për ta kuptuar, 150 herë Kopshti Kombëtar.”
Sipas Star Channel, vlera e investimit “i kalon 4 miliardë dollarët”, ndërsa projekti shihet si një zhvillim që mund të ndryshojë ekuilibrat turistike në rajon.
“E kupton çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare dhe çfarë po ndodh dhe çfarë do të thotë edhe për turizmin grek, veçanërisht në Ishujt Jon”, shprehet gazetari.
Më tej, ai thekson se synimi i projektit është të tërheqë një kategori më të lartë turistësh.
“Ata synojnë të kenë një turizëm të përmirësuar, të kenë turistë të përmirësuar. Korfuzi, Kefalonia nuk duhet të jenë shumë të kënaqura nga ky zhvillim”, thuhet në kronikën e televizionit grek.
Në raportim përmendet edhe përfshirja e Ivanka Trump, si dhe e investitorëve të tjerë të huaj në projekt.
“Përveç Kushnerit dhe Ivankës, në projekt janë të përfshirë edhe dy miliarderë nga Katari. Ka edhe pesë shqiptarë.”/kb
