Last Updated on 02/09/2026 by EL
Apple po përgatitet të hyjë në tregun e telefonave të palosshëm me një iPhone të ri, që raportohet se do të quhet iPhone Ultra dhe mund të sjellë një nga dizajnet më të holla të kompanisë.
Sipas informacioneve të publikuara nga Mark Gurman i Bloomberg, Apple pritet të prezantojë iPhone-in e parë të palosshëm më 9 shtator, ndërsa tashmë kanë filluar të dalin detaje të reja për specifikat dhe çmimin e mundshëm të pajisjes.
Një nga veçoritë më interesante pritet të jetë mbështetja për karikimin MagSafe, transmeton Telegrafi.
Edhe pse imazhet e rrjedhura dhe modelet demonstrative të pajisjes nuk kanë treguar unazën magnetike karakteristike të MagSafe, Gurman beson se Apple do të arrijë ta integrojë këtë teknologji.
Arsyeja është se kompania ka arritur të vendosë MagSafe edhe në iPhone Air, një pajisje jashtëzakonisht të hollë. iPhone Ultra, sipas raportimeve, mund të ketë trashësi prej vetëm 4.5 milimetrash kur është plotësisht i hapur.
Telefoni pritet të ketë një ekran të jashtëm 5.5-inç, ndërsa ekrani fleksibël i brendshëm do të jetë 7.8-inç.
–
Një tjetër element që Apple synon të përmirësojë është palosja në mes të ekranit. Sipas raportimeve, rrudha në ekranin e iPhone Ultra mund të jetë pak më pak e dukshme sesa ajo në Galaxy Z Fold8 të Samsung.
Pajisja pritet gjithashtu të ketë dy kamera në pjesën e pasme, çipin më të fundit të Apple, modem të gjeneratës së re dhe një menteshë të projektuar për të përballuar përdorim të shpeshtë.
Nëse këto specifika konfirmohen, iPhone Ultra do të përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm për Apple, duke e futur kompaninë drejtpërdrejt në një prej segmenteve më konkurruese të tregut të telefonave premium.
Apple pritet të zbulojë zyrtarisht detajet në eventin e saj të shtatorit, ku fokusi kryesor do të jetë pikërisht iPhone-i i parë i palosshëm. /et
