Raundi i dytë i bisedimeve SHBA–Iran është i pasigurt, me Teheranin që ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij ruan mosbesim të thellë ndaj qeverisë amerikane dhe kritikoi ato që i quajti sinjale jokonstruktive dhe kontradiktore nga zyrtarët amerikanë.
“Respektimi i angazhimeve është baza e një dialogu kuptimplotë. Mosbesimi i thellë historik në Iran ndaj sjelljes së qeverisë amerikane mbetet, ndërsa sinjalet jokonstruktive dhe kontradiktore nga zyrtarët amerikanë mbartin një mesazh të hidhur. Ata kërkojnë dorëzimin e Iranit. Iranianët nuk i nënshtrohen forcës”, tha Masoud Pezeshkian.
Zhvillimet e fundit vijnë një ditë përpara se armëpushimi dyjavor i arritur mes palëve të skadojë. Presidenti amerikan Trump pret që kjo e hënë të sjellë rezultate konkrete, ndërsa ka përsëritur se nuk do të ketë zgjatje të këtij afati.
“Zgjatja e armëpushimit me Iranin është shumë e pamundur. Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa të nënshkruhet marrëveshja”, tha Trump.
Tensionet mes palëve i shtoi vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë për të mos iu përgjigjur me të njëjtin hap vendimit të Teheranit të premten për të kthyer kalimin e lirë të anijeve në ngushticën e Hormuzit.
Pjesë e vazhdimit të bllokadës ishte edhe goditja e një anijeje iraniane mallrash që dilte nga kanali i Hormuzit pranë brigjeve të Omanit, çka solli tërheqjen e Iranit.
Sekuestrimi i anijes iraniane nga marina amerikane bëri që çmimi i naftës së papërpunuar në bursat globale të pësojë rritje me rreth 7% gjatë kësaj të hëne./mxh
