Last Updated on 07/10/2026 by EL
Rrugët e kalimit në Ngushticën e Hormuzit, të cilat Irani i konsideron të paligjshme, pritet të mbyllen së shpejti. Paralajmërimi vjen në një kohë kur kjo rrugë detare strategjike vijon të jetë në qendër të tensioneve në rajon.
Deklarata është bërë të mërkurën nga Mohammad Reza Naghdi, këshilltar i komandantit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve “Fars”.
Sipas tij, bëhet fjalë për rrugën detare jugore që ndjek brigjet e Omanit.
Naghdi tha se këto “disa rrugë” janë krijuar pas shpërthimeve dhe shkatërrimit të disa kalimeve shkëmbore në këtë rrugë detare strategjike. Sipas tij, ato janë përdorur nga “mjete të vogla lundruese që transportonin naftë kontrabandë dhe e transferonin atë në anije-cisternë”.
“Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit kanë kontroll të plotë mbi të. Kjo situatë do të vazhdojë derisa të plotësohen kërkesat legjitime të Iranit”, deklaroi Naghdi.
Të dhënat e përkohshme të kompanisë Kpler tregojnë se mesatarja lëvizëse 7-ditore e eksporteve të naftës bruto nga rajoni ishte 18.3 milionë fuçi në ditë më 30 shtator. Sipas të njëjtave të dhëna, vëllimet e eksporteve tejkaluan nivelet e para luftës në 14 ditë gjatë muajit shtator.
Në këto eksporte përfshihet nafta e transportuar nga Gjiri Persik përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes Detit të Kuq, si dhe nga terminalet dhe pikat e transferimit nga një anije në tjetrën në Gjirin e Omanit.
Garda Revolucionare Islamike ka mohuar vazhdimisht se transporti detar i naftës bruto përmes ngushticës është rritur falë ndihmës së Marinës së Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër këshilltar i IRGC-së, Majid Mirahmadi, deklaroi se aktualisht kalojnë mesatarisht 10 anije në ditë përmes kësaj rruge detare, krahasuar me një mesatare prej 125 anijesh në ditë para luftës.
Sipas tij, lufta nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vranë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë një sulmi ajror në Teheran.
Pavarësisht rritjes së flukseve të naftës gjatë shtatorit, sulmet iraniane ndaj anijeve-cisternë dhe kufizimet në zinxhirin e furnizimit vijojnë të jenë problem.
Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje nëse nivelet më të larta të eksporteve mund të ruhen në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa çdo kufizim i mëtejshëm i lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit mund të ndikojë në transportin ndërkombëtar të naftës./mxh
