Autoritetet amerikane kanë ngritur akuza ndaj një shtetasi irlandez për shkatërrimin e një avioni ushtarak amerikan me vlerë 60 milionë dollarë, pasi dyshohet se ai u fut fshehurazi në pistën e një aeroporti në Irlandë.
Daithi O’Corrain, 48 vjeç, akuzohet se kishte kryer një kërkim të hollësishëm paraprak përpara se të përdorte kimikate dhe mjete të ndryshme, përfshirë një sëpatë, për të dëmtuar rëndë një avion C-130 Hercules të Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së, i cili ishte parkuar në aeroportin Shannon, pranë qytetit të Limerickut.
Prokurorët amerikanë e kanë akuzuar për shkatërrim të pronës shtetërore, vepër penale që parashikon një dënim maksimal prej 10 vitesh burg.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, O’Corrain aktualisht nuk ndodhet në paraburgim në SHBA. Gjithashtu, nuk dihet nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.
Në dokumentet gjyqësore të bëra publike të martën nga prokurorët në Nju Jork, agjentët e FBI-së argumentojnë se veprimi i tij rrezikoi sigurinë kombëtare amerikane. Sipas tyre, avioni ishte parkuar në aeroport gjatë një ndalese në kuadër të një misioni ushtarak amerikan drejt një vendi tjetër.
“Siç pretendohet, Daithi O’Corrain kreu një sulm të qëllimshëm dhe të mirëplanifikuar ndaj një avioni ushtarak amerikan, duke shkaktuar dëme prej dhjetëra milionë dollarësh dhe duke vënë në rrezik operacione të rëndësishme ushtarake”, thuhet në dokumentet e paraqitura në gjykatë nga prokuroria.
“Ky nuk ishte një akt vandalizmi i kryer në mënyrë spontane”, deklaroi James Barnacle Jr, ndihmësdrejtor në detyrë i FBI-së, duke shpjeguar se O’Corrain “kaloi muaj të tërë duke studiuar avionin, duke siguruar vegla dhe materiale, si dhe duke u përgatitur për të shkaktuar dëmin maksimal të mundshëm”./ad
