Vivienne Jolie, vajza 18-vjeçare e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka rrëfyer për herë të parë vështirësitë që ka kaluar për shkak të çrregullimeve të të ushqyerit, duke zbuluar se në fillim të këtij viti u shtrua në spital për të marrë trajtim.
18-vjeçarja ka zgjedhur të ndajë përvojën e saj përmes ekspozitës së re të pikturës, të titulluar “A Gallery on Patience in Patients”, ku ka përfshirë edhe fragmente nga ditari personal. Në një prej shënimeve, ajo përshkruan gjendjen emocionale në momentin kur nisi trajtimin.
“Në fillim të këtij viti u shtrova në spital për shkak të çrregullimit tim të të ushqyerit. Isha e zemëruar, e sëmurë dhe shumë e vetmuar”, shkroi Vivienne.
Megjithatë, qëndrimi në spital u kthye në një përvojë që e ndihmoi të përballej ndryshe me vështirësitë. Ajo vlerësoi ngrohtësinë dhe mbështetjen që mori nga fëmijët e tjerë dhe stafi mjekësor.
“Mirësia dhe ngrohtësia e fëmijëve dhe e stafit të spitalit rrëzuan muret që kisha ngritur aq lart. Nuk kam qeshur apo qarë kurrë më fort. Nuk kam qenë kurrë më e sinqertë dhe më shumë vetvetja”, rrëfeu ajo.
Në një tjetër shënim të datës 22 prill, Vivienne ndau edhe një fjali që pasqyron vështirësinë e pranimit të gjendjes dhe nevojën për të mos i fshehur emocionet: “Duhet ta lejoj veten të shembem, që të mund të bëhem më mirë”.
Rrëfimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi ajo bëri edhe një ndryshim në emrin e saj, duke u bërë fëmija i katërt i Angelina Jolie dhe Brad Pitt që hoqi ligjërisht mbiemrin “Pitt”./mxh
