Nëse do ta shihnit sot Anok Yai në një pasarelë, ndoshta do të kuptonit pse në rrjetet sociale njerëzit pyesin nëse ajo është vërtet reale. Tiparet e jashtëzakonshme, lëkura e errët, sytë dhe pamja e saj pothuajse surreale e bëjnë të duket si një personazh i krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Por historia e 28-vjeçares është shumë më njerëzore se kaq. Anok ka lindur në Kajro në vitin 1997, në një familje me origjinë sudaneze. Prindërit e saj u larguan nga Sudani dhe, kur ajo ishte vetëm tre vjeç, familja u vendos në SHBA, fillimisht në New York dhe më pas në New Hampshire, ku Anok u rrit bashkë me motrat dhe vëllezërit e saj. Fëmijëria nuk ishte e lehtë.
Për shkak të ngjyrës së lëkurës, ajo u përball me racizëm dhe ngacmime, ndërsa në shkollë kishte krijuar bindjen se ishte vajza më e shëmtuar. Ironikisht, gjëja për të cilën të tjerët e vlerësonin ishte inteligjenca. Prindërit e saj, të cilët i kishin kushtuar shumë rëndësi arsimimit, e imagjinonin Anok-un si mjeke, jo si modele.
Por në vitin 2017, kur ishte studente 19-vjeçare, një fotograf e fotografoi rastësisht gjatë festimeve të Homecoming në Washington. Fotografia u publikua në Instagram dhe brenda pak ditësh jeta e saj ndryshoi. Agjencitë e modelingut filluan ta kërkonin dhe vetëm disa muaj më vonë ajo bëri diçka që dukej e pamundur për vajzën që dikur nuk e konsideronte veten të bukur: hapi sfilatën e Prada-s në Milano.
Ishte një moment historik, pasi u bë modelja e parë me ngjyrë që hapte Prada-n pas Naomi Campbell. Që atëherë, Anok është shndërruar në një nga fytyrat më të njohura të modës, duke punuar me emrat më të mëdhenj të industrisë dhe duke u shfaqur në kopertina të rëndësishme. Por vitet e fundit i sollën një tjetër betejë.
Ajo kaloi një problem serioz të lindur në zemër dhe mushkëri, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë dhe përfundoi duke luftuar edhe me infeksion dhe sepsis. Pas gjithë asaj kohe që kishte kaluar duke mësuar të ecte si modele, iu desh të mësonte përsëri të ecte si njeri.
Sot është rikthyer në botën e modës. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e bukur e historisë së saj: vajza që dikur ishte bindur se nuk ishte mjaftueshëm e bukur, sot është një nga ato fytyra që bota e sheh dhe pyet nëse mund të jetë e vërtetë. Por Anok Yai është reale. Dhe historia e saj është shumë më e jashtëzakonshme se çdo imazh i krijuar nga AI./mxh
