Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Italia parashikon 165 850 hyrje për shtetasit e huaj që dëshirojnë të punojnë në vend gjatë vitit 2027, në kuadër të skemës italiane të kuotave për punësimin e shtetasve të huaj, sipas medias italiane “Money.it”.
Sipas planifikimit për periudhën 2026–2028, kuota për vitin 2027 përfshin 76 200 vende për punësim jo sezonal, 89 000 për punësim sezonal dhe 650 për të vetëpunësuarit.
Procesi paraprak i plotësimit të aplikimeve nga punëdhënësit do të zhvillohet nga 23 tetori deri më 7 dhjetor 2026.
Kjo fazë u mundëson punëdhënësve të përgatisin kërkesat për punësimin e shtetasve të huaj, por nuk përbën ende aplikimin përfundimtar dhe as garanci për sigurimin e një vendi pune.
Edhe shtetasit shqiptarë mund të përfitojnë nga kjo skemë, nëse plotësojnë kushtet për kategorinë përkatëse.
Kuotat nuk janë të rezervuara posaçërisht për Shqipërinë, por përfshijnë shtetas të huaj që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga autoritetet italiane.
Në përgjithësi, procedura nis nga punëdhënësi në Itali, i cili paraqet kërkesën për autorizimin e punësimit të shtetasit të huaj.
Për këtë arsye, përfshirja në kuota nuk do të thotë se çdo person mund të aplikojë individualisht ose se pajisja me leje pune është e garantuar.
Skema italiane e kuotave synon të rregullojë hyrjen e punëtorëve të huaj në tregun italian të punës, duke përcaktuar numrin e lejuar të hyrjeve dhe ndarjen e tyre sipas sektorëve dhe llojit të punësimit./mxh
