Italia do të vendosë të 27 qytetet e saj kryesore nën “alarm të kuq” për shkak të valës së katërt të të nxehtit që ka përfshirë vendin këtë verë, ndërsa temperaturat në disa zona pritet të afrohen me 40 gradë Celsius.
Sipas Ministrisë italiane të Shëndetësisë, është hera e parë gjatë këtij viti që të gjitha qytetet e monitoruara nga sistemi kombëtar i mbikëqyrjes së të nxehtit kalojnë në nivelin më të lartë të alarmit. Ky nivel sinjalizon rrezik të lartë për shëndetin e të gjithë popullsisë, jo vetëm për grupet më të ndjeshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë dhe të shmangin alkoolin, pijet me gaz dhe aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta. Gjithashtu, është përsëritur apeli që fëmijët dhe kafshët të mos lihen asnjëherë brenda automjeteve.
Vala ekstreme e të nxehtit, që sipas shkencëtarëve lidhet me ndryshimet klimatike, pritet të vazhdojë të paktën edhe një javë. Evropa po ngrohet rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke i bërë episodet e nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.
Ditët e fundit, temperaturat e larta janë lidhur me të paktën katër viktima në Itali, mes tyre një 19-vjeçar që punonte në bujqësi dhe një punëtor 40-vjeçar në Lombardi. Një tjetër rast fatal u raportua në Bolonjë, ku një roje sigurie dyshohet se humbi jetën si pasojë e të nxehtit ekstrem.
Përveç rrezikut për shëndetin, vala e të nxehtit ka përkeqësuar edhe thatësirën në luginën e lumit Po. Mbi 100 qytete në rajonet Piemonte dhe Lombardi po përballen me mungesë uji, ndërsa fermerët raportojnë dëme në prodhimet bujqësore, përshpejtim të pjekjes së rrushit dhe ulje me rreth 10% të prodhimit të qumështit për shkak të stresit termik te bagëtitë.
Për të lehtësuar situatën, qytete si Roma kanë ofruar hyrje falas në kinema me ajër të kondicionuar dhe ambiente kulturore gjatë orëve më të nxehta të ditës, si edhe kanë zgjatur orarin e vizitave në monumente si Koloseu dhe Panteoni, duke u dhënë turistëve mundësinë t’i vizitojnë ato në mbrëmje./ad
