Italia është përfshirë nga vala e tretë e të nxehtit ekstrem të verës 2026, sipas “Corriere della Sera”.
Meteorologët parashikojnë një javë me temperatura 7–8 gradë Celsius mbi mesataren, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në 43°C. Kulmi i vapës pritet të jetë të mërkurën dhe të enjten.
Qytetet në alarm për shkak të temperaturave të larta
Ministria italiane e Shëndetësisë ka shpallur nivelin maksimal të alarmit për disa qytete, ku temperaturat mund të shkaktojnë pasoja për shëndetin.
Në alarm të kuq janë, Firence dhe Peruxhia – nga sot deri të mërkurën. Nga 15 korriku qytete në alarm të kuq do të jenë edhe, Bolonja, Bresha, Frosinone, Roma dhe Torino.
Në alarm portokalli përfshihen, Kaliari, Campobasso, Latina, Milano, Peskara, Rieti, Trieste, Verona dhe Viterbo.
Pse po ndodh kjo valë e të nxehtit?
Shkencëtarët shpjegojnë se shkaku kryesor lidhet me ndryshimet klimatike.
Rritja e gazit CO₂ në atmosferë, si pasojë e djegies së qymyrit, naftës dhe gazit, ka sjellë rritje të temperaturave globale dhe më shumë fenomene ekstreme.
Një faktor tjetër është anticikloni afrikan – një masë ajri shumë e nxehtë që vjen nga Afrika e Veriut dhe qëndron mbi Evropë për disa ditë.
Ekspertët thonë se Evropa po ngrohet më shpejt se shumë rajone të tjera të botës.
Si të mbrohemi nga vapa – Ushqimi dhe hidratimi
Pini të paktën 8 gota ujë në ditë.
Hani më shumë fruta dhe perime, sidomos, shalqi, pjepër, kastravec, domate, kungull, pjeshkë dhe fruta të freskëta.
Shmangni alkoolin, pijet me shumë sheqer, ushqimet shumë të kripura dhe të skuqurat.
Kujdes me shëndetin
Vapa ul tensionin e gjakut dhe mund të shkaktojë marramendje ose të fikët.
Personat që marrin ilaçe për tensionin, zemrën apo sëmundje të tjera duhet të konsultohen me mjekun, sepse temperaturat e larta mund të ndikojnë në mënyrën si veprojnë disa ilaçe.
Nuk duhet ndërprerë asnjë ilaç pa këshillën e mjekut.
Si të flemë më mirë gjatë netëve të nxehta
Për të përballuar netët tropikale kur temperatura nuk bie mjaftueshëm gjatë natës:
Mbani dritaret të mbyllura gjatë orëve më të nxehta dhe ulni grilat.
Kondicioneri rekomandohet në temperaturë 25–27°C.
Përdorni çarçafë dhe rroba gjumi prej pambuku.
Dushi duhet të jetë i vakët, jo i ftohtë, sepse uji shumë i ftohtë mund të shkaktojë reagime të menjëhershme të trupit.
Ventilatori ndihmon, por nuk duhet drejtuar direkt mbi trup për një kohë të gjatë.
Kujdes edhe për kafshët
Qentë dhe macet vuajnë shumë nga temperaturat e larta. Shenjat e alarmit janë; frymëmarrje e shpejtë, lodhje, pështymë e tepërt, të vjella dhe dridhje.
Rekomandohet të kenë gjithmonë ujë të freskët; të mos nxirren në orët më të nxehta dhe të mos lihen kurrë në makinë./mxh
