Një paraqitje elegante në një prej eventeve më të rëndësishme të organizuara në Shtëpinë e Bardhë. Ivanka Trump u shfaq në darkën shtetërore të zhvilluar për nder të presidentit kinez Xi Jinping dhe bashkëshortes së tij, Peng Liyuan.
44-vjeçarja zgjodhi për mbrëmjen një fustan të gjatë në nuancë blu të çelët, të dekoruar me kristale dhe motive florale. Veshja, e dizajnuar nga Georges Hobeika, raportohet se ka një vlerë prej rreth 6 mijë dollarësh.
Fustani me bust të strukturuar dhe elemente të qëndisura u shoqërua me një pamje glamuroze. Ivanka mbajti flokët bionde të mbledhura në njërën anë dhe zgjodhi një make-up që vinte në pah sytë.
Në këtë mbrëmje speciale ajo ishte së bashku me vajzën e saj, Arabella, 15 vjeçe. Adoleshentja tërhoqi gjithashtu vëmendjen me një fustan të zi, duke krijuar një kombinim klasik dhe elegant me të ëmën.
Por kjo nuk ishte paraqitja e vetme e Ivankës gjatë vizitës së presidentit kinez. Më herët, ajo mori pjesë edhe në ceremoninë zyrtare të pritjes së Xi Jinping dhe Peng Liyuan, ku u shfaq sërish me një veshje blu, këtë herë të kombinuar me një xhaketë me aplikime të bardha në formë lulesh dhe aksesorë me perla.
Darka u mbajt në East Room të Shtëpisë së Bardhë, ku Donald Trump dhe Xi Jinping iu drejtuan të pranishmëve me fjalime. Eventi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit kinez në SHBA, në një periudhë të karakterizuar nga marrëdhënie të ndërlikuara mes dy vendeve./mxh
