Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi të hënën se Hezbollah do të “paguajë çmime të larta”, duke theksuar se qeveria dhe ushtria izraelite janë urdhëruar të shkatërrojnë infrastrukturën e “terrorit” në jug të Libanit.
Në një video të publikuar nga ministria e mbrojtjes, Katz shfaqet në sallën e komandës së ushtrisë izraelite, i rrethuar nga oficerët kryesorë. Ai deklaroi se “qindra mijëra banorë shiitë të jugut të Libanit, që janë larguar dhe po largohen nga shtëpitë e tyre në jug të Libanit dhe Bejrut, nuk do të kthehen derisa të garantohet siguria e banorëve të veriut”.
Të hënën, Izraeli avancoi në pjesë të reja të Libanit jugor, duke vendosur trupa për të goditur pozicionet e Hezbollahut dhe duke intensifikuar fushatën kundër grupit militant të mbështetur nga Irani.
Ushtria izraelite, e cila ka pushtuar pesë pozicione në jug të Libanit që nga armëpushimi i nëntorit 2024 me Hezbollahun, ka dërguar forca shtesë pas sulmit me raketa të Hezbollahut më 2 mars, që përfshiu Libanin në një konflikt më të gjerë rajonal.
Hezbollah tha se sulmi i tij ishte hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian më 28 shkurt, ditën e parë të luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit. Izraeli ka përgjigjur me një fushatë intensive bombardimesh mbi Libanin.
Më shumë se 800 persona janë vrarë në Liban dhe mbi 800,000 janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, kryesisht në jug dhe zonat përreth kryeqytetit, Bejrut./mxh
