Last Updated on 06/10/2025 by adminfjala
Izraeli thotë se ka deportuar Greta Thunberg dhe 170 aktivistë të tjerë të ndaluar kur u ndalua një flotilje që po përpiqej të çonte ndihma në Gaza.
Sipas mediave të huaja, rreth 470 persona ndodheshin në bordin e më shumë se 40 anijeve civile kur Flotilja Global Sumud u ndalua nga Izraeli javën e kaluar.
Disa anëtarë të flotiljes që tashmë janë deportuar kanë pretenduar se janë keqtrajtuar gjatë kohës që janë mbajtur në paraburgimin izraelit.
Në një postim në rrjetin social ‘X’, Ministria e Jashtme e Izraelit e quan flotiljen një “marifet PR” dhe thotë se të gjithë të ndaluarve u janë mbrojtur të drejtat e tyre ligjore. Ajo i akuzon ata për përhapjen e “gënjeshtrave”.
Është hera e dytë që Thunberg deportohet nga Izraeli pasi u përpoq pa sukses të arrinte në Gaza nga deti.
Izraeli thotë se 171 personat janë deportuar në Greqi e Sllovaki dhe janë shtetas të Greqisë, Italisë, Francës, Irlandës, Suedisë, Polonisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Lituanisë, Austrisë, Luksemburgut, Finlandës, Danimarkës, Sllovakisë, Zvicrës, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. m.p.
